Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën me temën “Nga politika në praktikë: Transformimi i Arsimit përmes Mësimit Digjital”, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se nëse do të veçonim një sektor, që ka rol fondamental në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë dhe që mundëson progresin në të gjithë sektorët e tjerë, padyshim që është arsimi, përcjell Fol Drejt.
Me miratimin e Strategjinë e re të Arsimit 2022-2026, për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga pesë shtyllat e kësaj strategjie ambicioze, së cilës i janë dedikuar 52 milionë euro dhe që siguron një qasje gjithëpërfshirëse ndaj digjitalizimit në arsim dhe adresimin e të gjitha aspekteve të këtij transformimi.
Për të përmirësuar qasjen në mësimin digjital, shkollat kanë nevojë për lidhje në internet, si dhe për pajisje elektronike si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit. Kryeministri Kurti nënvizoi se përmes projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), qeveria me mbështetjen e fondeve të Bankës Botërore ka arritur që 100%. Pra të gjitha vendbanimet në Kosovë, përfshirë ato në zonat e thella rurale, të kenë qasje në internet brezgjerë. Në kuadër të po të njëjtit projekt, është bërë edhe lidhja e 107 shkollave në internet brezgjerë. Megjithëkëtë, 16% e shkollave mbeten ende të palidhura dhe nga ato që janë tashmë janë të lidhura, vetëm 49% kanë lidhje përmes fibrit optik.
Ai tha se shkollat kanë nevojë për pajisje elektronike: kompjuterë, tabela inteligjente dhe printera. Shifrat e vitit 2021 tregojnë se shkollat publike të Kosovës kanë mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës, që është shumë prapa mesatares së Bashkimit Evropian. Andaj, duke e konsideruar se kjo është një nga fushat prioritare ku duhet të ndërhyhet, Kryeministri rikujtoi se kemi dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë 3-vjeçare që në masë të madhe do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla. Këtë vit tashmë kemi pranuar kërkesat për furnizim me pajisje digjitale nga 432 shkolla, të cilat aktualisht janë duke u shqyrtuar.
Në rrugën tonë drejt transformimit digjital, ai tha se është i nevojshëm një vlerësim i vazhdueshëm i nevojave dhe i kërkesave të palëve të interesit. Vlerësimi i nevojave të të mësuarit digjital, i kryer nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës dhe i mbështetur nga UNICEF-i, ofron njohuri domethënëse për zbatimin e strategjisë tonë të arsimit, tha ai. Andaj, “jemi të lumtur të shohim se të gjeturat e hulumtimit validojnë shumë nga aktivitetet e parapara në planin e veprimit të strategjisë, por gjithashtu ofrojnë edhe rekomandime, të cilat mund të përmirësojnë më tej efektivitetin e veprimeve të planifikuara”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti ftoi gjithë partnerët tanë zhvillimorë për bashkëpunim dhe mbështetje në zbatimin e digjitalizimit të arsimit në vendin tonë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuar ministra e zëvendësministra,
E nderuara Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj. Arnhild Spence,
E nderuara shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman,
I nderuari Zëvendës Shef i Seksionit për Bashkëpunim të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Alessandro Biancardi,
Të nderuar përfaqësues të tjerë nga qeveria, institucionet e Republikës sonë, nga akademia, shoqëria civile dhe sektori privat
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj
Çdo fushë e qeverisë dhe çdo sektor i ekonomisë është i rëndësishëm dhe po kështu është digjitalizimi në secilën prej atyre fushave dhe sektorëve. Por, nëse do të veçonim një sektor, që ka rol fundamental në zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë dhe që mundëson progresin në të gjithë sektorët e tjerë, padyshim që është arsimi.
Në fund të vitit të kaluar ne miratuam Strategjinë e re të Arsimit 2022-2026. Për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga pesë shtyllat e kësaj strategjie ambicioze. Kësaj shtylle i janë dedikuar 52 milionë euro, që është 16% e buxhetit të përgjithshëm të strategjisë. Kjo siguron një qasje gjithëpërfshirëse ndaj digjitalizimit në arsim dhe adresimin e të gjitha aspekteve të këtij transformimi.
Aspekti i parë i rëndësishëm në shtyllën e digjitalizimit në arsim janë sistemet, proceset dhe të dhënat në fushën e arsimit. Të dhënat analitike dhe sistemet e ndërlidhura do të sigurojnë transparencë e llogaridhënie dhe politikëbërje të bazuar në fakte në fushën e arsimit. Ndërsa, proceset e automatizuara do të mundësojnë efikasitet dhe produktivitet më të lartë në funksionimin e sistemit arsimor. Platforma digjitale gjithëpërfshirëse dhe e centralizuar që do t’i integrojë këto së bashku, do të rezultojë në përmirësimin e gjithmbarshëm të cilësisë së shërbimeve arsimore.
Aspekti i dytë i trajtuar në strategji, janë materialet mësimore digjitale. Kur shkollat u deshtë të mbyllen për shkak të pandemisë COVID-19, video materialet mësimore ishin një vegël shumë e rëndësishme për të mbështetur mësimin në distancë. Por në rrethana të vijimit normal të mësimit në shkolla, nevojiten materiale mësimore digjitale multi-modale e shumë më të pasura, duke përfshirë përmbajtje audio-vizuale, animacione, elemente interaktive, laboratorë virtualë dhe lojëra edukative.
Materialet mësimore digjitale ofrojnë mundësi të pakufishme për nxënësit e epokës digjitale, që të përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e të nxënit, si në shkollë ashtu edhe në shtëpi dhe strategjia synon që këtë mundësi të mund ta gëzojnë të gjitha kategoritë shoqërore në vend. Prandaj, plani i veprimit përfshinë përgatitjen e materialeve mësimore digjitale edhe në gjuhët e komuniteteve, si dhe për fëmijët me nevoja të veçanta.
Për të përmirësuar qasjen në mësimin digjital, shkollat kanë nevojë për lidhje në internet, si dhe për pajisje elektronike si për mësuesitashtu edhe për nxënësit. Edhe këtu gjithëpërfshirja mbetet një parim kyç. Përmes projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE), qeveria me mbështetjen e fondeve të Bankës Botërore ka arritur që 100%, pra të gjitha vendbanimet në Kosovë, përfshirë ato në zonat e thella rurale, të kenë qasje në internet brezgjerë. Në kuadër të këtij projekti, është bërë edhe lidhja e 107 shkollave në internet brezgjerë. Megjithëkëtë, 16% e shkollave mbeten ende të palidhura dhe nga ato që janë tashmë janë të lidhura, vetëm 49% kanë lidhje përmes fibrit optik. E përveç kyçjes në internet, duhet të sigurohemi që shkollat të kenë rrjetet e tyre LAN ose Ëifi, për të shpërndarë qasjen në internet në të gjitha klasat dhe hapësirat shkollore.
Dhe, natyrisht, shkollat kanë nevojë për pajisje elektronike: kompjuterë, tabela inteligjente dhe printera. Shifrat e vitit 2021 tregojnë se shkollat publike të Kosovës kanë mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës, që është shumë prapa mesatares së Bashkimit Evropian. Andaj, duke e konsideruar se kjo është një nga fushat prioritare ku duhet të ndërhyjmë, ne kemi dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë 3-vjeçare që në masë të madhe do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla. Këtë vit tashmë kemi pranuar kërkesat për furnizim me pajisje digjitale nga 432 shkolla, të cilat aktualisht janë duke u shqyrtuar.
Digjitalizimi ka potencialin të revolucionarizojë mënyrën në të cilën jepet mësimi. Me përdorimin e teknologjisë, mësimdhënësit mund të krijojnë dhe të ofrojnë njësi mësimore, të japin dhe të bëjnë vlerësimin e detyrave dhe të komunikojnë me nxënësit në mënyrë më efikase. Kjo mund të lirojë më shumë kohë për ata që të përqendrohen në aspektet më kritike të mësimdhënies, siç janë ofrimi i mbështetjes dhe inputeve individuale për nxënësit. Megjithatë, për të qenë në gjendje të përdorin teknologjinë në procesin e mësimdhënies, mësimdhënësit dhe stafi tjetër arsimor kanë nevojë për kompetencë dhe aftësi të reja.
Kjo kërkon ndërtimin e kornizave tona kombëtare bazuar në Kornizat Evropiane të Kompetencës Digjitale në mënyrë që të sigurohemi, që mësimdhënësit dhe palët tjera të kenë qasje të vazhdueshme në programe trajnimi për të arritur dhe ruajtur shkathtësitë e tyre digjitale.
Dhe aspekti i fundit, por jo për nga rëndësia i transformimit digjital në arsim, janë mekanizmat institucionalë, që do ta mundësojnë këtë transformim. Duke filluar nga niveli i ministrisë, e deri te niveli i komunës dhe shkollës, nevojiten njësi dhe struktura organizative për të zbatuar, menaxhuar dhe mirëmbajtur teknologjitë digjitale.
Në rrugën tonë drejt transformimit digjital, është i nevojshëm një vlerësim i vazhdueshëm i nevojave dhe i kërkesave të palëve të interesit për t’u siguruar që veprimet e realizuara dhe ato të planifikuara të mbeten relevante dhe efektive. Vlerësimi i nevojave të të mësuarit digjital, i kryer nga Instituti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës dhe i mbështetur nga UNICEF-i, ofron njohuri domethënëse për zbatimin e strategjisë tonë të arsimit.
Jemi të lumtur të shohim se të gjeturat e hulumtimit validojnë shumë nga aktivitetet e parapara në planin e veprimit të strategjisë, por gjithashtu ofrojnë edhe rekomandime, të cilat mund të përmirësojnë më tej efektivitetin e veprimeve të planifikuara.
Dëshiroj të falënderoj Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për organizimin e kësaj tryeze, si dhe UNICEF-in e Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës, për përgatitjen e rastit studimor dhe raportit të vlerësimit të nevojave për mësim digjital.
Po ashtu, shpreh vlerësimin tim të veçantë për UNICEF-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur për forcimin e sistemit tonë arsimor ndër vite.
Në fund, më lejoni të përfitoj nga ky rast për t’i ftuar dhe njëherë të gjithë partnerët tanë zhvillimorë për bashkëpunim dhe mbështetje në zbatimin e digjitalizimit të arsimit në vendin tonë./FolDrejt/