Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë dhe ishte folës në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme.
Në hyrje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se NATO-ja, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global, transmeton Fol Drejt.
Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi, u shpreh kryeministri Kurti.
“Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global”, veçoi ai.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë Seminar, kryeministri Kurti përmendi edhe Ballkanin perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, duke thënë se jo vetëm që nuk është imun por është tejet i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë, siç potencoi ai, ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale.
Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për përafrim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.
Në këtë frymë, kryeministri veçoi se në vitin 2022 ka ndarë buxhet prej 102 milionësh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo shifër, siç deklaroi ai, shënon rritje prej 52% të kësaj linje buxhetore në krahasim me vitin e kaluar dhe synojmë që brenda mandatit të kësaj qeverie të arrijmë përqindjen prej 2% të GDP që është një standard i pashkruar për vendet e NATO-s.
Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për të kompletuar aspektin ligjor për të mundësuar zhvillimin e FSK-së në përputhje me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Kryeministri Kurti përmendi angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe fuqizimin e saj përmes trajnimeve të ndryshme dhe nën mbikëqyrjen e parterëve të NATO-s, duke veçuar pjesëmarrjen në ushtrimin “Defender Europe 21” dhe bashkëzbarkimin FSK-së me njësitë e Gardës Kombëtare të Iowas-s në lindjen e mesme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar pjesëmarrës të Seminarit të 102-të të Rose Roth,
Të nderuar anëtarë të asamblesë parlamentare të NATO-s,
Të nderuar deputetë e përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar ambasadorë, partnerë të respektuar,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
NATO, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global. NATO është e vetmja aleancë politike dhe ushtarake që synon të ruaj arritjet e shoqërisë njerëzore, dhe të avancoj vlerat që kanë për qendër graviteti, jetën dhe zhvillimin e qenieve njerëzore.
Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi. Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global.
Ballkani perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, jo vetëm që nuk është imun por është i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale. Influenca ruse në Serbi është e ndryshme prej influencës ruse në vendet e tjera të regjionit. Serbia ka mirëpritur influencën ruse dhe po e shfrytëzon atë për të mbajtur nën kërcënim sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të Evropës. Megjithëkëtë, në Bruksel ne angazhohemi për dialog konstruktiv dhe kreativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër.
Zhvillimet e fundit pas agresionit rus dhe invazionit ushtarak në Ukrainë po vërtetojnë teoritë e luftës të cilat e theksojnë qartë, se për deri sa karakteri i luftës ndryshon, sepse ndryshon doktrina, teknologjia dhe kultura ushtarake, natyra e luftës mbetet e pandryshueshme në esencë, sepse ajo nxitet nga politika, fundamentalisht njerëzore, e dominuar nga dhuna dhe më destruktive se çdo aktivitet tjetër njerëzor. Prandaj, gjithmonë do të mbetet nevoja për të ndërtuar dhe zhvilluar aleanca dhe kapacitete të mbrojtjes dhe sigurisë.
Sot më shumë se kurrë, vendet e NATO-s duhet të kontribuojnë në ruajtjen e kohezionit brenda aleancës por edhe në zgjerimin e NATO-s. Unë besoj se zgjerimi dhe kohezioni nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Ato shkojnë krah për krah.
Zgjerimi i NATO-s, në aspektin ushtarak nënkupton rritje të fuqisë së gatishmërisë luftarake, kurse në aspektin gjeo-strategjik, zgjerim të kufijve gjeografik të NATO-s.
Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për anëtarësim në NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.
Me qëllim ndërtimin dhe rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, Qeveria e Kosovës për vitin 2022 ka ndarë buxhet prej 102 milionësh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo shifër mund të mos duket e madhe, por ajo shënon rritje prej 52% të kësaj linje buxhetore në krahasim me vitin e kaluar, dhe synojmë që brenda mandatit të kësaj qeverie të arrijmë përqindjen prej 2% të BPV-së që është një standard i pashkruar për vendet e NATO-s. Aktualisht jemi te 1.4% e BPV-së.
Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për të kompletuar aspektin ligjor për të mundësuar zhvillimin e FSK-së në përputhje me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke u ndërtuar, trajnuar dhe zhvilluar me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të zhvillimit të saj nga partnerët tanë në NATO, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera partnere. Vitin e kaluar, vendi ynë ishte për herë të parë ndër vendet pritëse – ndër 16 vendeve pritëse – të ushtrimit të përmasave të gjera “Defender Europe 21” të planifikuar dhe drejtuar nga Ushtria e ShBA-ve për Evropë dhe Afrikë. Ne morëm pjesë me 330 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjithashtu, vitin e kaluar personeli i FSK-së për herë të parë zbarkoi bashkë me njësitë e Gardës Kombëtarë të Iowa-s në operacionin e ruajtës së paqes “Inherent Resolve” në Lindjen e Mesme. Institucionet e Republikës së Kosovës dëshmuan që janë të afta për të ndërvepruar me aleatë edhe në situata të panjohura më herët për ne, siç ishte mbështetja e partnerëve në strehimin e refugjatëve afganë në Republikën e Kosovës. Deri tani, kemi pranuar rreth 1800 refugjatë afganë dhe 410 prej tyre janë ende në vendin tonë.
Kontributi ynë për paqe dhe stabilitet në botë, krahë partnerëve tanë, do të vazhdojë edhe këtë vit edhe vitet tjetra, me bashkëzbarkime tjera të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me qëllim rritjen e ndërveprueshmërisë me partnerët dhe ndërtimin e kapaciteteve luftarake, Forca e Sigurisë së Kosovës është duke vazhduar me përpjekje intensive përgatitore për pjesëmarrje në ushtrimin më të madh të radhës, “Defender Europe 23” që do të zhvillohet në maj dhe qershor të vitit të ardhshëm në pjesë të ndryshme të Evropës, duke përfshirë vendin tonë. Para dhe pas agresionit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes dhe lidershipi ushtarak i FSK-së marrin pjesë në baza të rregullta në takimet e grupit të kontaktit për Ukrainën.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë. Ju falemnderit./FolDrejt/