Si institucione të Republikës së Kosovës, angazhohemi çdo ditë që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e forcojmë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kontribuojmë në paqen dhe sigurinë rajonale, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), raporton Fol Drejt.
Para pjesëmarrësve, zyrtarë të sigurisë publike nga pesëmbëdhjetë vende të ndryshme të botës, Kryeministri Kurti theksoi se përballë këtyre sfidave globale të sigurisë, është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që mbështeten në vlera demokratike, për ballafaqim me terrorizmin dhe krimet të cilat cenojnë sigurinë e shteteve e popujve kudo në botë.
Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë. Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës, dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se jemi gjithmonë të përkushtuar në ballafaqimin me sfidat aktuale në vend, por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët përmes dialogut, veçanërisht me Serbinë, si palë të barabarta, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit e me njohje të ndërsjellë mes shteteve. Këto parime, për ne janë garancë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë, shtoi ai.
Më tej, Kryeministri Kurti ritheksoi se institucionet tona të sigurisë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer mes vete e me partnerët tanë strategjikë, dhe kjo është garanca e menaxhimit me sukses të çdo emergjence apo sfide të sigurisë. Ato janë të ndërtuara dhe operojnë me dokumente strategjike që parashohin veprime konkrete dhe ndarje të përgjegjësive, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, dhe vendin tonë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Beqir Ismaili, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike,
I nderuari z. Kastriot Jashari, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se ju gjej sot të gjithëve këtu dhe mirë se keni ardhur në Republikën e Kosovës.
Diskutimet për sigurinë, në të gjitha dimensionet e saj, janë gjithmonë të rëndësishme e të vlefshme, veçanërisht në rastet kur ajo kërcënohet apo sfidohet. Secili diskutim është i domosdoshëm.
Janë bërë gati 20 muaj nga fillimi i agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Sot bëhen 11 ditë nga sulmet terroriste në Izrael. Javën e ardhshme bëhet 1 muaj nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, në Republikën e Kosovës, ku ra në detyrë rreshteri policor dhe Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në rrethana të tilla, përballë këtyre sfidave globale të sigurisë, është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që mbështeten në vlera demokratike, për ballafaqim me terrorizmin dhe krimet të cilat cenojnë sigurinë e shteteve e popujve kudo në botë.
Si institucione të Republikës së Kosovës, angazhohemi çdo ditë që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e forcojmë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kontribuojmë në paqen dhe sigurinë rajonale. Përgjatë dy viteve e gjysmë të qeverisjes, janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe janë arrestuar mbi 3800 veta, më shumë se 300 prej tyre zyrtarë publikë. Nuk mund ta luftojmë krimin edhe korrupsionin në shoqëri nëse nuk i pastrojmë institucionet e shtetit paraprakisht e vazhdimisht.
Republika e Kosovës tre javë më parë është ballafaquar me një sulm terrorist, të mirë-organizuar dhe mbështetur në të gjitha format nga shteti me të cilin kufizohemi në pjesën veriore të vendit tonë, nga Serbia. Nga ky sulm i personave të maskuar e të armatosur rëndë, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku.
Nga të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit dhe jo vetëm, dëshmohet qartë që ky sulm është kryer nga Serbia. Qëllimi kryesor i saj ka qenë që përmes terroristëve të armatosur e të maskuar të aneksojë veriun e vendit tonë. Duke pasur parasysh që Serbia vazhdon të jetë aleate e palëkundur e Rusisë, përmes këtij sulmi terrorist ajo ka tentuar ta kopjojë skenarin e Donbasit në Ukrainë. Falë profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Kosovës, ky skenar ka dështuar të realizohet, dhe është mbrojtur popullata civile që në mëngjesin e 24 shtatorit është gjendur e rrethuar nga këta terroristë e kriminelë.
Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë. Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës, dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm.
Për ta shtuar sigurinë në vend, Policia e Kosovës ka mbyllur 16 rrugë ilegale në veri dhe ka shkatërruar 100 grupe kriminale. Gjithashtu, janë shkatërruar 16 laboratore të drogës, 9 prej tyre në veri, si dhe 6 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri.
Ne jemi gjithmonë të përkushtuar në ballafaqimin me sfidat aktuale në vend, por edhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët përmes dialogut, veçanërisht me Serbinë, si palë të barabarta, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit e me njohje të ndërsjellë mes shteteve. Këto parime, për ne janë garancë e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Sektori i sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por kudo, duhet të njohë rreziqet, kërcënimet dhe sfidat reale të sigurisë dhe të ketë vizion strategjik për t’u ballafaquar me to.
Institucionet tona të sigurisë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer mes vete e me partnerët tanë strategjik, dhe kjo është garanca e menaxhimit me sukses të çdo emergjence apo sfide të sigurisë. Ato janë të ndërtuara dhe operojnë me dokumente strategjike që parashohin veprime konkrete dhe ndarje të përgjegjësive, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, dhe vendin tonë.
Bashkimi i fuqive dhe kapaciteteve në këtë kohë sfiduese për sigurinë globale është goditja më e madhe ndaj atyre të cilët shkaktojnë apo tentojnë të shkaktojnë destabilizim apo pasiguri.
Prandaj unë u uroj sukses me angazhim të përbashkët, sepse suksesi mund të jetë veçse i përbashkët. Dhe gjithashtu u dëshiroj diskutime sa më të frytshme dhe shkëmbim të përvojave në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, i bindur që njohuritë e përfituara do të vendosen në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes.
Ju faleminderit shumë që keni vizituar vendin tonë. Ju falënderoj për vëmendjen dhe shpreh gatishmërinë time për komunikim e bashkëpunim të mëtutjeshëm.