Qëndrimin në Athinë sot për të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, Kryeministri i Republikës së Kosovës e filloi me një takim me homologun e tij nga Kroacia, Andrej Plenkoviq, transmeton Fol Drejt.
Në takim ata folën për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë dhe potencialin që dy vendet kanë për thellim e konkretizim të mëtejmë të tyre.
Kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Plenkoviq për progresin dhe arritjet e vendit në rrafshin ekonomik dhe demokratik, me theks qeverisjen dy vjeçare.
Ai e uroi homologun e tij dhe Kroacinë që së fundmi u bë anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe anëtarja e 27-të e zonës Schengen, teksa e cilësoi këtë si një arritje të madhe të Kroacisë dhe Kroacinë si një model për t’u ndjekur.
Të dy ndanë këndvështrimet e tyre mbi zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe sfidat me të cilat ballafaqohet rajoni, duke mbetur të përkushtuar për bashkëpunim të afërt, në shërbim të interesave të përbashkëta dhe në linjë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Folën edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ku Kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër.