Sukseset dhe sfidat në fushën e promovimit dhe të edukimit shëndetësor në Kosovë, u theksuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Konferencës së tretë Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti derisa theksoi se Kosova ka treguar sukses në ballafaqimin me pandeminë COVID-19, tha se ky sukses na jep një mundësi ideale për të reflektuar mbi rëndësinë e promovimit dhe edukimit shëndetësor. Një pjesë e madhe e këtij suksesi, vijoi ai, ka qenë pikërisht për shkak të efikasitetit në promovim dhe edukim, transmeton Fol Drejt.
Aktualisht, një prej sfidave kryesore të institucioneve shëndetësore në fushën e promovimit dhe edukimit, është të gjejmë një mënyrë se si ta përsërisim suksesin tonë gjatë pandemisë, në luftimin e sëmundjeve të tjera, tha kryeministri, para të pranishmëve në këtë konferencë dyditore.
Sfida kryesore në këtë drejtim, është se si të edukojmë qytetarët që të bëjnë ndryshimet e duhura në jetën e tyre të përditshme sot, për të parandaluar sëmundje të rënda kronike që mund të zhvillohen 10 ose 20 vjet më vonë, tha kryeministri Kurti. Një zgjidhje e suksesshme e këtij problemi do të shpëtonte qindra jetë njerëzish dhe do të kishte një impakt të madh pozitiv në shëndetin publik afatgjatë, theksoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri tha se agjenda e kësaj konference të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor ‘’ Mjediset e Shëndetshme’’, dhe përkrahur nga zyra e OBSh-së në Prishtinë, është jashtëzakonisht e pasur dhe përfshinë tema që janë me rëndësi të lartë, si në aspektin teorik, ashtu edhe në aspektin praktik./FolDrejt/
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Ministër i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, dr. Rifat Latifi,
I nderuar Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, prof. Naser Ramadani,
E nderuar Shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman,
I nderuari Sekretar i parë i Ambasadës së Konfederatës Zvicerane, z. Laurent Torche,
I nderuar Zëcendëspresident i Unionit për Promovim dhe Edukim Shëndetësor për Evropë, z. Paolo Contu,
I nderuar Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dr. Shaban Memeti,
E nderuara Përfaqësuese e zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dr. Isme Humolli,
E nderuara zëvendës ministre e Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha Bunjaku,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
Gjatë më shumë se dy vjetëve të ballafaqimit me pandeminë COVID-19, gati çdo vend i botës, përfshirë edhe Kosovën tonë, është përballur me pasoja jo të lehta për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Megjithëkëtë, të dhënat zyrtare, duke përfshirë statistikat mbi atë që quheshin “vdekje të tepërta”, apo vdekje shtesë, tregojnë se Kosova ka arritur t’i mbajë në minimum kostot njerëzore, sidomos në krahasim me shumë vende të tjera në rajon, në Evropë dhe në botë.
Suksesi i Kosovës në këtë drejtim na jep një mundësi ideale për të reflektuar mbi rëndësinë e promovimit dhe të edukimit shëndetësor. Sepse një pjesë e madhe e këtij suksesi ka qenë pikërisht për shkak të efikasitetit tonë në promovim dhe në edukim.
Njëjtë sikurse me sëmundje tjera, institucionet shëndetësore kanë shfrytëzuar dy lloje të ndryshme të intervenimeve kundër COVID-19: intervenimet farmaceutike dhe intervenimet jofarmaceutike. Intervenimi kryesor farmaceutik ka qenë, dhe vazhdon të jetë, vaksina. Ndërsa, intervenimet jofarmaceutike kanë përfshirë masa që sigurojnë distancë të mjaftueshme fizike, si dhe bartjen e maskave në ambiente ku distanca fizike ka qenë e pamundur.
Mirëpo, asnjë intervenim, qoftë farmaceutik, qoftë jofarmaceutik, nuk do të kishte qenë i suksesshëm pa u mbështetur në punën intensive të promovimit dhe të edukimit. Vaksinat nuk mund të parandalojnë sëmundje të rëndë tek ata të cilët nuk pranojnë t’i marrin ato. Dhe maskat nuk mund ta bllokojnë shpërndarjen e virusit midis atyre që refuzojnë t’i përdorin ato. Është meritë e punonjësve shëndetësorë të vendit tonë fakti që kanë arritur, me fakte dhe argumente, që të bindin shumicën dërmuese të qytetarëve për domosdoshmërinë e intervenimeve të tilla.
Aktualisht, një prej sfidave kryesore të institucioneve shëndetësore në fushën e promovimit dhe të edukimit, është të gjejmë një mënyrë se si ta përsërisim suksesin tonë gjatë pandemisë, në luftimin e sëmundjeve të tjera. Le të mos harrojmë se COVID-19 është një sëmundje akute dhe ngjitëse. Këto dy karakteristika të saj mbollën njëlloj frike te qytetarët, gjë që e ka bërë pakëz më të lehtë që t’i bindim ata për të pranuar masat e domosdoshme. Mirëpo, në rastin e sëmundjeve kronike dhe jo ngjitëse, si për shembull kanceri, diabeti dhe sëmundja e zemrës, puna jonë është dukshëm më e vështirë, por sigurisht jo më pak jetike. Sfida kryesore, në këtë drejtim, është se si të edukojmë qytetarët që të bëjnë ndryshimet e duhura në jetën e tyre të përditshme sot, për të mos pasur nevojë për shërime të vështira dhe të shtrenjta nesër, për të parandaluar sëmundje të rënda kronike që mund të zhvillohen 10 apo 20 vjet më vonë. Një zgjidhje e suksesshme e këtij problemi do të shpëtonte qindra jetë njerëzish dhe do të kishte një ndikim të madh pozitiv në shëndetin publik afatgjatë. Siç na ka mësuar dijetari i famshëm amerikan Benjamin Franklin, “Një gram parandalimi vlen sa një kilogram shërimi”. Raporti një me njëmijë i parandalimit me shërimin.
Natyrisht, kjo është vetëm një prej çështjeve të cilat shpresoj që do t’i adresoni gjatë diskutimeve tuaja shkencore. Agjenda e kësaj konference dyditore është jashtëzakonisht e pasur dhe përfshinë shumë e shumë tema të tjera që janë me rëndësi të lartë, si në aspektin teorik, po ashtu edhe në atë praktik. Prandaj, ju uroj suksese dhe punë të mbarë gjatë këtyre dy ditëve të ardhshme.
Ju falemnderit!