Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në diskutimin e hapur “Barazia, Barabarësia dhe Drejtësia” në kuadër të Javës së Gruas, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik në mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Kryeministri shprehu falënderim për këtë mundësi dhe për këtë bashkëbisedim të hapur për këtë çështje siç e quajti ai, kaq të rëndësishme. Ai tha se krahas opinioneve, analizave, kërkimeve e vendimeve, në politikëbërje bindje dhe vlerat janë shumë të rëndësishme, ndaj ai beson se nuk mund të ketë demokraci pa barazi gjinore, përcjell Fol Drejt.
Sa i përket situatës në Kosovë lidhur me barazinë gjinore, kryeministri beson se ajo është duke u përmirësuar dhe se përmirësimi është më i shpejtë se kurdoherë më parë, ndonëse veçoi se ka edhe shumë punë për t’u bërë.
Më tej, ai nënvizoi se nuk mund të kemi barazi shoqërore, pa barazi gjinore andaj barazia gjinore është ajo e cila në fakt përbën urën e barazisë shoqërore dhe të demokracisë.
Kryeministri theksoi tri çështje që janë shumë të rëndësishme për ecjen përpara sa i përket barazisë gjinore: kultivimi dhe mirëmbajtja e vatrave të solidaritetit gjinor, emancipimi shoqëror me theks te emancipimi i burrave dhe atë mbase që në fëmijëri të hershme, dhe trajtimi më i thellë i pasojave të luftës.
“Unë besoj që një njëfarë mënyre edhe ne që kemi shpëtuar, nuk kemi shpëtuar, sepse përvojat tona janë deponuar. Në vitet e ‘80-ta dhe në vitet e ‘90-ta më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë në një formë ose tjetër kanë kaluar nëpër duart e forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë dhe këto dy dekadat e shekullit XX janë përplot trauma të pa trajtuara”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri gjithashtu foli për universalitetin që vë në spikamë atë që është e përbashkët dhe jo atë që na dallon, dhe për barazinë në kuptimin që pavarësisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë.
“Barabarësia dëshmohet duke qenë pikërisht të ndryshëm. Ti respekton diferencën, por kemi trajtimin e barabartë”, tha ndër të tjera ai.
Në kuadër të diskutimit, kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve dhe interesimit të pjesëmarrësve rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, punën e Qeverisë rreth përmirësimit të legjislacionit në këtë fushë dhe tema të ndryshme që ndërlidhen me ekzekutivin./FolDrejt/