Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur rreth ditës së djeshme për dorëzimin zyrtar të aplikimit të Kosovës në BE, duke e cilësuar këtë ditë si ditë historike.
“Kjo javë nuk është aspak e zakonshme. Në fakt është e jashtëzakonshme, është javë në të cilën patëm ditën historike, 15 dhjetorin, kur zyrtarisht dorëzuam aplikimin tonë në Presidencën çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, për anëtarësim në BE. Orientimit evropian i dhamë cak, perspektivës evropiane i dhamë përgjigje dhe marrëdhënieve me Bashkimin Evropian iu dhamë kapitull të ri”, është shprehur Kurti.
“E kuptojmë që rruga jonë integruese do të bazohet në meritat tona, por integrimi do të thotë edhe njohje, do të thotë edhe pranim, do të thotë edhe ndërvarësi. Krahas meritës sonë, njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk na kanë njohur, sigurisht do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Pra njohje që mundësojnë anëtarësim dhe integrim ndërkombëtar”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/