“Kosova qëndron krahas shteteve partnere Evropiane në përpilimin e zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë tranzicionit e drejtë drejt ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme’’, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e sotme “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë”.
Teksa foli për fokusin e qeverisë gjatë mandatit të parë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, veçoi se investimet që po bëjmë në energjinë e ripërtëritshme vijnë si rezultat i Strategjisë së Energjisë, e cila jo vetëm që është strategjia e parë e vendit tonë e bazuar në studime e analiza të thella, mirëpo është edhe strategjia e parë, e cila në thelb synon dekarbonizimin dhe tranzicionin e drejtë energjetik, përcjell Fol Drejt.
“Përmes investimeve, Korporatën Energjetike të Kosovës po e kthejmë në ndërmarrjen më të pastër duke instaluar 100 megavat energji diellore. Po ndërtojmë rezervat akumuluese me kapacitet ndër më të mëdhatë në Evropë përmes grantit më të madh në histori të vendit tonë me 236.7 milionë dollarë nga MCC, po ndërtojmë projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me energji diellore, me vlerë 80 milionë euro, po prezantojmë skema konkurruese duke filluar me ankandin e parë të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavat, të cilin e lansuam para dy jave’’, shtoi ai.
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, përmes politikave qeverisëse, kryeministri tha se do të dizajnohen edhe programe rikualifikimi për punëtorët që në të ardhmen ndërmarrjet publike dhe bizneset private të kalojnë sa më lehtë në ekonomi të gjelbër.
Në fjalën e tij, kryeministri listoi angazhimin e qeverisë, nismat dhe projektet që janë bërë dhe planifikohen të bëhen për të kontribuar në një mjedis të pastër, por që siç theksoi ai, një zhvillim i qëndrueshëm arrihet atëherë kur sigurohemi që përgatitemi e përshtatemi ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, andaj edhe lobimi ynë për drejtësi klimatike ndaj Kosovës nuk do të ndalet.
Në këtë konferencë, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu, zëvendësministra, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve e organizatave.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Ambasador Thomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë,
I nderuari Ambasador Joern Rohde, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,
I nderuar ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu
E nderuara ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
I nderuari Burim Ejupi, Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP
Të nderuar deputetë, Zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve,
E nderuara Koordinatore e UNDT, znj, Annhild Spence,
E nderuara ambasadore e Republikës së Kroacisë, znj. Danijela Barisic,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kosova qëndron krahas shteteve partnere Evropiane në përpilimin e zbatimin e strategjive dhe në zhvillimin e miratimin e politikave të cilat në thelb e synojnë tranzicionit e drejtë drejt ekonomisë së gjelbër e të qëndrueshme. Përmes tyre synojmë të adresojmë sfidat mjedisore e të krijojmë barazi sociale, zhvillim ekonomik dhe gjithëpërfshirje. Koncepti i qëndrueshmërisë është në qendër të pothuajse të gjitha politikave, strategjive e ligjeve të cilat po i hartojmë e po i miratojmë .
Gjatë gjysmës së parë të mandatit të Qeverisë sonë, jemi fokusuar në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike. Përmes politikave gjithëpërfshirëse e skemave për zhvillim e mbështetje sociale të cilat kemi filluar t’i aplikojmë do të sigurojnë që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe ato të margjinalizuara, të kenë përmirësim të dukshëm në mirëqenie, qasje në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji e shërbime të tjera të qëndrueshme.
Investimet që po bëjmë në energjinë e ripërtëritshme vijnë si rezultat i Strategjisë sonë të Energjisë e cila jo vetëm që është strategjia e parë e vendit tonë e bazuar në studime e analiza të thella, mirëpo është edhe strategjia e parë e cila në thelb synon dekarbonizimin dhe tranzicionin e drejtë energjetik. Përmes investimeve, Korporatën Energjetike të Kosovës po e kthejmë në ndërmarrjen më të pastër duke instaluar 100 megavat energji diellore. Po ndërtojmë rezervat akumuluese me kapacitet ndër më të mëdhatë në Evropë përmes grantit më të madh në histori të vendit tonë me 236.7 milionë dollarë nga MCC, po ndërtojmë projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me energji diellore, me vlerë 80 milionë euro, po prezantojmë skema konkurruese duke filluar me ankandin e parë të energjisë diellore me kapacitet prej 100 megavat, të cilin e lansuam para dy jave.
Përveç kësaj, këto investime në energji të ripërtëritshme dhe investimet tjera në transportin e qëndrueshëm, menaxhimin e mbetjeve dhe programet e trajnimit dhe të zhvillimit të aftësive, do të krijojnë mundësitë për përgatitjen e një fuqie punëtore të kualifikuar për ekonominë e gjelbër në zhvillim.
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, përmes politikave qeverisëse, do të dizajnojmë edhe programe rikualifikimi për punëtorët që në të ardhmen ndërmarrjet publike dhe bizneset private të kalojnë sa më lehtë në ekonomi të gjelbër.
Bujqësia është një ndër kontribuesit e degradimit të mjedisit e të dheut nëse nuk praktikohen masa të qëndrueshme. Për shembull, përdorimi i tepruar i plehrave kimike, pesticideve dhe ujitja jo e duhur e degradon cilësinë e tokës, varfëron lëndët ushqyese dhe ulë pjellorinë. Me gjithë këto, praktikat e këtilla nuk mund të ndryshohen brenda natës. Duhet kohë, trajnime adekuate e të vazhdueshme dhe mbështetje për fermerë dhe investimeve, të tilla, që të mund zëvendësohen gradualisht me praktika të qëndrueshme bujqësore, të cilat minimizojnë përdorimin e inputeve kimike, promovojnë bujqësinë organike dhe mbrojnë shëndetin e tokës. Këto dy vite të qeverisjes, kemi përditësuar bazën ligjore dhe si asnjëherë më parë kemi shumëfishuar subvencionet dhe grantet në bujqësi. Këtë vit do të arrijnë vlerën deri në 100 milionë euro.
Synimi ynë është që të zhvillojmë bujqësi të qëndrueshme përmes së cilës arrijmë të mbulojmë nevojat tona elementare me produkte bazë ushqimore, të sigurojmë ushqim të pastër e cilësor dhe njëkohësisht, përdorim në mënyrë të përgjegjshme të tokës, ujit dhe burimeve tjera natyrore.
Për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave, kemi siguruar 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania. Aktualisht, ne jemi në një fazë të hershme të krijimit të sistemit të ndarjes në bazë dhe ndërtimin e qendrave të riciklimit. Deri më tani kemi rishikuar një pjesë të kuadrit të nevojshëm ligjor dhe ngadalë do të fillojmë me aplikimin e parimit Ndotësi Paguan, përmes krijimit të bazës ligjore për Përgjegjësitë e Zgjeruar të Prodhuesit. Në anën tjetër po punojmë intensivisht në ndërtimin e impianteve për të trajtuar një problem madhor, të cilin e kemi, e ky është trajtimi i ujërave të zeza.
Para pak jave kemi përuruar impiantin e tretë brenda dy viteve, përmes të cilit përveç mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik, po parandalojmë ndotjen e ujërave ndërkufitare me Shqipërinë. Kjo dëshmon se qasja jonë sa i përket mbrojtjes së mjedisit, shkon përtej kufijve tanë shtetërorë. Trajtimi i ujërave të ndotura në nivel vendi është rritur nga 1% sa ishte kur e filluam mandatin para diç më shumë se dy vitesh, në 11%. Ne jemi të përkushtuar që të avancojmë tutje dhe synimi ynë është që në 5 vitet e ardhshme të kemi 7 kryeqendra me impiante.
Në plan janë ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura të kryeqytetit, Prishtinës pra, i cili do të mbuloj edhe komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës, si dhe impiantet e ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.
Tutje, për të përshpejtuar zbatimin e Agjendës së Gjelbër, vitin e kaluar e kemi lansuar Kartën për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme, të cilën deri më sot e kanë nënshkruar 22 komuna. Ndërsa, këtë vit ndamë rreth 2 milionë euro për mbështetjen e Komunave që janë bërë pjesë e Kartës në implementimin e politikave të qëndrueshme mjedisore.
Kosova, megjithëse ende nuk është anëtare e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, çdo ditë e më tepër po e dëshmon vendosmërinë e saj në ndërmarrjet e veprimeve për të reduktuar nivelin e ndikimit në mjedis dhe gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjen globale për mbrojtjen e tokës. Përveç punës që po e bëjmë në implementimi e Agjendës së Gjelbër, këtë vit, po bëjmë të gjitha përgatitjet që në mënyrë unilaterale të publikojmë Kontributin e Përcaktuar Kombëtar si obligim i Marrëveshjes së Parisit, i cili po i paraprinë Ligji i parë që do të ketë Kosova për Ndryshimet Klimatike. Ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit dhe ndotja, nuk respektojnë kufijtë kombëtarë dhe ndikimet e tyre ndihen nga njerëzit dhe ekosistemet në mbarë botën, andaj ne aktivisht po lobojmë që Kosova të ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet dhe proceset e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.
Një zhvillim i qëndrueshëm arrihet atëherë kur sigurohemi që përgatitemi e përshtatemi ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike, andaj edhe lobimi ynë për drejtësi klimatike ndaj Kosovës nuk do të ndalet./FolDrejt/