Politikat rajonale duhet t’i heqin barrierat ekonomike, shoqërore e territoriale. Në këtë mënyrë rajonet mund të bëhen më garuese, të zhvillojnë ekonominë dhe të krijojnë vende të reja të punës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Konferencës ndërkombëtare për zhvillim rajonal.
Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri theksoi se na duhen politika rajonale të zhvillimit, në mënyrë që të promovojmë solidaritet më të madh e të reduktojmë pabarazitë mes rajoneve, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar domosdoshmërinë e intervenimit të shtetit me politika rregulluese, në mënyrë që të mos kemi zhvillim të pabalancuar, kryeministri tha se po ashtu na duhet bashkëpunimi ndërshtetëror e ndër-kufitar.
Integrimi në Bashkimin Evropian është proces i natyrshëm për ne dhe në përputhje me orientimin tonë shtetëror dhe vlerat tona shoqërore, tha kryeministri, duke shtuar se krahas këtij procesi ne mbështesim fuqishëm edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal ka fuqi transformuese sepse zonat kufitare i kthen nga vende që ndajnë shtetet, në pikëtakime që i bashkojnë ato, theksoi kryeministri Kurti.
Ai tha se qytetarët në secilën anë të kufirit duan punë, drejtësi, mirëqenie e progres, e detyrë e jona është që të realizojmë potencialin e tyre duke hequr barrierat e duke i rritur mundësitë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar Ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka,
Të nderuar zëvendëskryeministra, z.Besnik Bislimi dhe znj.Emilia Rexhepi,
I nderuar Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Thomas Szunyog,
I nderuari Ministër i Qeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, z. Goran Milevski,
I nderuari zv. Ministër i Industrisë dhe Teknologjisë së Turqisë, z.Çetin Ali Dönmez,
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Peci dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,
Të nderuar zëvendësministra, kryetarë të komunave, shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar mysafirë që jeni kyçur në këtë konferencë virtualisht, z. Grozdan Karadjov, zv. Kryeministër i Bullgarisë dhe z. Amir Zukiq, Ministër i Zhvillimit i Bosnjë dhe Hercegovinës,
Zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm,
Mirë se keni ardhur në këtë organizim të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në parim, politikat e zhvillimit rajonal kanë synim të kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit, duke krijuar kushte që mundësojnë konkurrencën në të gjitha zonat dhe realizimin e potencialeve të tyre të zhvillimit.
Në secilin vend zhvillimi përcaktohet nga disa faktorë të cilët dallojnë nga njëri-tjetri. Burimet natyrore, burimet njerëzore dhe përqendrimi i kapitalit ndryshojnë nga rajoni në rajon, dhe në masë të madhe bëhen përcaktues të zhvillimit. Prandaj, na duhen politika rajonale të zhvillimit, në mënyrë që të promovojmë solidaritet më të madh e të reduktojmë pabarazitë mes rajoneve. Ashtu që të ndalojmë migrimin e brendshëm, të arrijmë një rritje të qëndrueshme dhe të ekuilibruar në aspektin socio-ekonomik, por edhe të krijojmë kohezion më të madh shoqëror.
Politikat rajonale duhet t’i heqin barrierat ekonomike, shoqërore e territoriale. Në këtë mënyrë rajonet mund të bëhen më garuese, të zhvillojnë ekonominë dhe të krijojnë vende të reja të punës. Është e vërtetë se globalizimi i ka dhënë hov të madh zhvillimit ekonomik, por edhe i ka rritur pabarazitë, duke bërë që qytete dhe rajone të shumta periferike të migrojnë drejt qendrës në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe të jetesës.
Andaj, në njërën anë na duhet intervenimi i shtetit me politika rregulluese, shpërndarëse dhe rishpërndarëse, në mënyrë që të mos kemi zhvillim të pabalancuar dhe ku të gjithë do të përfitojnë nga globalizimi dhe do të gëzojnë një standard normal të jetesës.
E në anën tjetër na duhet bashkëpunimi ndërshtetëror e ndër-kufitar. Në këtë drejtim, përtej marrëveshjeve bilaterale të mira që kemi me shumë shtete, kemi nevojë që si rajon të heqim barrierat mes vete dhe mes rajoneve tjera. Integrimi në Bashkimin Evropian është proces i natyrshëm për ne dhe në përputhje me orientimin tonë shtetëror dhe vlerat tona shoqërore. Është pikërisht integrimi në Bashkimin Evropian ai i cili gjithashtu na e mundëson dhe na e mëson fqinjësinë e mirë.
Krahas këtij procesi ne mbështesim fuqishëm edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, i filluar në Samitin e Sofjes në nëntorin e vitit 2020. Bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal ka fuqi transformuese sepse zonat kufitare i kthen nga vende që ndajnë shtetet, në pikëtakime që i bashkojnë ato. E në Ballkan kjo ka edhe më shumë rëndësi ngaqë kufijtë shpeshherë i ndajnë komunat, njerëzit madje edhe familjet që kanë gjuhën e kulturën e njëjtë, por edhe interes ekonomik e tregtar të përbashkët. Si për shembull Anamorava me Luginën e Preshevës, Prizreni me Tetovën, Plava e Gucia me Deçanin e Pejën, e të tjera, e të tjera.
Qytetarët në secilën anë të kufirit duan punë, drejtësi, mirëqenie e progres, e detyrë e jona është që të realizojmë potencialin e tyre duke hequr barrierat e duke i rritur mundësitë.
Ata që janë afër e duan bashkëpunimin më të ngushtë.
Ju falemnderit edhe një herë për ftesën.
Ju përgëzoj për organizimin dhe ju uroj konferencë të suksesshme./FolDrejt/