Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Mynih ka takuar Kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte, raporton Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Mynih takoi Kryeministren e Lituanisë, Ingrida Simonyte. Në këtë takim bilateral, i pari ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Kryeministres Simonyte, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe për mundësitë e thellimit të tyre, me theks në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Kryeministri Kurti ka falënderuar Lituaninë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të rëndësishme që i ka dhënë Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe integrimin Euro-Atlantik.
Nga ana tjetër, Kurti ka pranuar urimet e kryeministres lituaneze me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë. /FolDrejt/