Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, mbrëmë ka takuar deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokristian, raporton Fol Drejt.
“Gjermania është një vend mik dhe aleate në marrëdhënie bilaterale dhe në integrimin Evropian të Kosovës, tha kryeministri Kurti gjatë takimit me deputetët Andreas Schwarz, Wolfgang Hellmich, Ulrich Lechte, Renata Alt, Aydan Özoğuz dhe Metin Hakverd. Kryeministri nënvizoi performancën ekonomike, përparimin demokratik, progresin e digjitalizimit të shërbimeve, politikat sociale në shërbim të qytetarëve, suksesin në luftimin e korrupsionit, si veçori që e kanë përshkuar vendin tonë në dy vitet e fundit.”, thuhet në raport.
Tutje, Kurti ka cituar përfundimet e raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve Pa Kufi, Projekti i Drejtësisë Botërore, i Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri dhe i BE-së për Vendin për vitin 2022, të cilat dëshmojnë progresin në fushat përkatëse.
“Ai po ashtu i njoftoi deputetët gjermanë që Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtat shumë shpejt pritet që të ratifikohen edhe në Kuvend. Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në fund të raportit. /FolDrejt/