Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ftuar në emisionin Review në Euronews Albania ka folur në lidhje me propozimin e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditura arsyet se pse e ka pranuar propozimin e BE-së, si dhe e vendosi theksin tek njohja reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit, transmeton Fol Drejt.
Sipas Kurtit, Kosova nuk duhet të shohë nga e kaluara dhe sipas tij plani franko gjerman është një bazë e mirë për të ardhmen e Kosovës.
“Tash teksa festojmë 15 vjetorin e pavarësisë ne do të kujtojmë me dhembje, me mall me krenari të gjithë ata që kontribuuan, u sakrifikuan dhe në të njëjtën kohë ata që na bëjnë që kurrsesi të mos lejojmë çfarëdo sprapsje apo kthimi mbrapa sa i përket funksionimit shtetëror të Kosovës, cilësisë së demokracisë që kemi dhe integritetit territorial dhe të kufijve. Do të kujtojmë Jasharajt, do të kujtojmë UÇK-në, do të kujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, do të kujtojmë simbolin e rezistencës Mandelën tonë Adem Demaçi, do të kujtojmë plejadën e të burgosurve politikë qysh në vitet 50 e deri në çlirim që mbajtën gjithsej 666 shekuj burg, të burgosur politikë në ish-Jugosllavi dhe Serbi. Do të kujtojmë të vrarët gjatë luftës, kemi mbi 10 mijë civilë të pa armatosur e të pa mbrojtur, kemi 1933 fëmijë pra më shumë se 10% të të vrarëve ishin fëmijë, 20 mijë gra e vajza të vrara e të dënuara, 860 mijë u patën depërtuar jashtë Kosovës në pranverën e vitit 99 një pjesë e madhe të cilëve i gjetën dyert e hapura tek motrat e vëllezërit në Shqipëri dhe gjithashtu 120 mijë shtëpi të shkatërruara për të cilat Serbia nuk ka paguar asnjë cent. Propozimi i BE-së është një propozim që ne e kemi thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara. Pra ne nuk mund të shkojmë prapa. Unë përmenda çfarë kemi vuajtur e hequr sepse pikërisht këtë gjë e do Serbia kthimin mbrapa. Nëse shikoni deklaratat e Beogradit zyrtarë ata janë në kërkim të një makine kohore që të na kthejë para vitit 1999 ose para vitit 2008. Pra në Serbi dallohen politikanët në ato që duan të na kthejnë me makinë kohore para vitit 1999 ose para vitit 2008. Por siç e dimë makinë kohor nuk ka. Ne duhet të ecim përpara dhe unë kam konsideruar se plani Franko-Gjerman i mbështetur edhe nga SHBA është një bazë e mirë për këtë gjë”, ka thënë kryeministri Kurti në Euronews, transmeton Fol Drejt.