Në shënim të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, u mbajt seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, e cila filloi me fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në nderim të gjithë figurave të kombit shqiptar e mësuesve që u angazhuan e kontribuan në ngritjen e arsimit.
Sot, tha kryeministri Kurti, i urojmë mësuesit ditën e tij, por i urojmë nxënësit ditën e mësuesit të tij, ditën e pasionit të dijes dhe njohjes, transmeton Fol Drejt.
Teksa nisi fjalimin e tij në seancën e ftuar nga vetë ai për këtë ditë të veçantë për kombin shqiptar, kryeministri Kurti tha se mësuesi nuk është ai që na sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re. Këtë, shtoi më tej, ai, e bëri edhe Pandeli Sotiri në Korçë në fund të shekullit XIX, këtë e bëri edhe Shaban Jashari në Skenderaj një shekull më vonë.
“Dhe si çdo kombi, edhe ne na duhet një epope e arsimit, një epope që e shpall arsimin. Ashtu si epopeja që e përkujtuam dje dhe pardje e sot, si epopeja e lavdishme që na shpalli vullnetin, po ashtu na lipset një epope që na e ngjall inteligjencën, vendosjen e vullnetit në racionalitet”, veçoi kryeministri.
Duke përmendur të gjitha figurat më të ndritura kombëtare të Rilindjes, kryeministri u shpreh se në ndërtimin e shtetit të një populli të çliruar, emancipimi i inteligjencës vjen prej patriotizmit të mësuesit.
Le ta themi hapur, vazhdoi ai, duke thënë se profesionalizmi është bashkimi i inteligjencës me atdhedashurinë, me dashurinë për njerëzit. “Secili prej nesh kujton me endje në të shkuarën e tij një mësues që ia ka zgjuar dashurinë për dijen dhe besimin në talent. Në kohë pushtimi kjo dashuri është më e thirrur, në kohë paqeje rrezikon të jetë më e shtirur. Eh pra, na nevojitet epopeja e arsimit”, theksoi kryeministri.
Në Ditën e Mësuesit, kryeministri Kurti foli edhe për hapat që duhet ndërmarr Qeveria dhe reformat që duhen bërë me qëllim ngritjen e cilësisë në arsim.
Qeveria dhe të gjithë organet administrues, siç tha në fund të falës së tij kryeministri, duhet të jenë të ndërgjegjshëm se sa më shumë mësues emancipues të kemi mes nesh, aq më shumë shoqëria është e garantuar prej despotizmit dhe racizmit, prej korruptimit dhe mashtrimit.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvend për nder të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit:
Ju faleminderit i nderuar kryeparlamentar Konjufca,
Të nderuar mësimdhënës të dashur e të respektuar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, Kabinet Qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Mësuesi nuk është ai që na e sjell dijen abstrakte dhe vetminë, por virtytin publik të lirisë, deri edhe dijen e vetëmohimit në emër të hapjes së një epoke të re. Këtë e bëri edhe Pandeli Sotiri në Korçë në fund të shekullit XIX, këtë e bëri edhe Shaban Jashari në Skënderaj një shekull më vonë.
Të gjithë shtetet e kanë një datë, një periudhë, kur kanë artikuluar një rrymë e një frymë, kur e kanë përdorur gjuhën në rendin programatik.
Dhe si çdo kombi, edhe ne na duhet asgjë më pak se sa një epope e arsimit, një epope që e shpall arsimin. Ashtu si epopeja që e përkujtuam dje dhe pardje e sot, si epopeja e lavdishme që na shpalli vullnetin për liri, çlirim, bashkim e pavarësi, po ashtu na lipset një epope që na e ngjall inteligjencën, vendosjen e vullnetit në racionalitet.
Më shumë se një shekull më parë ne e kemi patur një Rilindje, një plejadë mësuesish e shkrimtarësh.
Është jetike të dijmë që asnjë njohje nuk është në thelbin e vet e zhveshur nga dashuria, nga një patriotizëm intim. Gjermanët u bënë me universitet kur e vendosën të përbashkojnë dijen me gjuhën, pra kur vendosën në qendër emrat e filozofëve dhe poetëve të tyre: Kantin si shpallës të aufklarungut (aufklerung), iluminizmit gjerman, Gothen si shkrues të ëndrrës faustiane në gjermanisht, e dy prej filozofëve më të mëdhenj, Fichten (Fihten) dhe Schleiermajerin (Shlajermajer) i vendosën në shërbim të Humboldit, dijetarit më të madh gjerman, që në atë kohë ishte këshilltari për arsim. Francezët e përbashkuan vendimin e filozofit më të madh të tyre, Descartesit (Dekartit), shkrimin e metafizikës në frëngjishten popullore, me revolucionin e tyre që e vijonte lindjen e enciklopedisë së Dideros dhe Voltaireit, si dhe me themelimin e shkollës politeknike, aty ku do të formoheshin inxhinierët e kombit. Edhe një herë, ajo çka zbuluan, ishte se procesi i njohjes nuk është abstrakt, por patriotik, publik dhe njerëzues.
Natyrisht që do të më thuhet se ne nuk jemi popull i madh, s’jemi si gjermanët e si francezët, por një komb në të shumtën e kohës i pushtuar. Po! Ne nuk e kemi patur kurrë epopenë e arsimit siç e kanë patur këta popuj e kombe të mëdhenj. Por, ne kemi epopenë e universitetit paralel dhe mbi të gjitha epopenë e ndritur të UÇK-së dhe aty nuk jemi prapa popujve të mëdhenj. Epopeja e luftës na mësoi se cilësia nuk kushtëzohet nga sasia.
Po e shohim sot për shembull popullin e madh rus, popullin e shkrimtarëve të mëdhenj, se si qëndron i padukshëm pas despotit, carit të tij të ri. Po e shohim popullin serb, që nuk ka mësuar asgjë prej katastrofës ballkanike, që e krijoi përmes shtetit të tij e ushtrisë së mbushur me bijtë e vet.
Numri i banorëve të një vendi nuk është kurrë përcaktues. Përcaktues është roli i mësuesit. Mësuesit tanë për shumë dekada ishin bacat në oda. Dhe e jepnin të vërtetën e jetës dhe të sakrificës në rapsodinë e gjatë të mbrëmjes, si dhe në aktin sublim të dëshmorit. Numri i mësuesve që e dhanë jetën me armën në dorë është i madh. Tani mësuesit nuk i kërkohet një gjë e tillë.
Në ndërtimin e shtetit të një populli të çliruar, emancipimi i inteligjencës vjen prej patriotizmit të mësuesit. Le ta themi hapur: profesionalizmi është bashkimi i inteligjencës me atdhedashurinë, me dashurinë për njerëzit. Secili prej nesh kujton me ëndje në të shkuarën e tij një mësuese a një mësues, që ia ka zgjuar dashurinë për dijen dhe besimin në talent. Në kohë pushtimi kjo dashuri është më e thirrur, në kohë paqeje rrezikon të jetë më e shtirur. E pra, na nevojitet epopeja e arsimit.
Një mësues patëm në një sport dhe i dha inteligjencën dhe dijen në mënyrën më të mrekullueshme, duke na vërtetuar më së pari se inteligjenca dhe aftësia nuk varen nga madhësia numerike e një populli, por nga shpirti i tij krijues. Së fundmi ne e kemi një plejadë të vogël të kinemasë, më së pari falë ndjeshmërisë së fuqishme të gruas sonë të mrekullueshme, mësueses së natyrshme të fëmijës.
Nëse nëna është mësuesja e parë e përkohshme, mësuesja sigurisht, që është nëna e dytë, por e përhershme, sepse ngado që shkojmë e gjatë tërë jetës, mësuesen e parë, nënën e dytë, e mbajmë me vete sa të jetë jeta.
Pra talentin e kemi si çdo popull, por na duhet arsimi i kualifikuar, mësues që e kryejnë misionin e tyre si zëdhënës të mëdhenj të besimit dhe jo vetëm si përvetësues të pagesës.
Në jetën e një shteti, disa profesione kanë përgjegjësinë publike më të lartë. E njërit prej këtyre profesioneve populli shqiptar i ka caktuar edhe një ditë për t’ia lartësuar vlerën në masën e të vërtetës dhe të emancipimit. 7 Marsi. Jam i vetëdijshëm se një shtet e një shoqëri nuk mund të ecë në mënyrë afatgjatë në ekonomi e as në politikë, po nuk eci përpara në arsim. Çdo sukses në ekonomi e në politikë, nëse nuk shoqërohet me një arsim shumë më të lartë se nevojat e përditshme, është sukses i përkohshëm.
Një shoqëri ideale është ajo ku një profesion nuk është punësim, por shprehje e karakterit dhe personalitetit në njohje. Mësueset e mësuesit tanë na kanë mësuar përgjatë viteve se në shkollë nuk shkohet për me siguri aq njohje sa ç ‘kërkon punësimi, por për me u bë njerëz moral, me shqetësimin për të gjithë njerëzimin teksa jemi qytetarë të përgjegjshëm të Republikës. Sot po ngutemi kudo për ta shndërru shkollën në cikël të përshpejtuar, kjo ngaqë e shohim më shumë si shkollim për refugjatë a emigrantë të aftë, që e lëshojnë vendin tonë. Jo, shkolla na duhet si pasuri publike e kombëtare dhe jo si punësim i ngushtë moralisht dhe privatisht.
Reforma jonë duhet të fillojë nga çerdhet, ato që i kemi, ato që nuk i kemi e të vazhdojë me shkollat fillore, të mesme e deri tek edukimi i lartë që e dëshirojmë.
Hapi tjetër, padyshim që duhet të jetë që edukimi të jetë i lidhur me tregun e punës. Edukimi nuk mund të jetë cilësor nëse ai nuk të siguron një vend pune për qytetarin e Republikës, rrjedhimisht duhet ta lidhim edukimin profesional të të rinjve me kërkesat e tregut në ekonomi.
E një shtet ka nevojë për inteligjencë të shpërndarë, ashtu siç njerëzit janë të ndryshëm në aftësitë e tyre. Pra, edhe aftësitë e njerëzve, jo vetëm kërkesat e tregut. Aftësitë nuk janë shpikur me dekrete shtetërore, por ato mund të zhduken me dekrete shtetërore. Që funksionimi shtetëror të jetë i dijshëm, duhet një shoqëri edhe më e ditur, edhe më e ndershme. Një shoqëri duhet të drejtohet për te teknologjitë e larta të informacionit, por nuk duhet të harrojë dijet e trashëgimisë shpirtërore të historisë.
Që prej gjysmës së shekullit XIX ravijëzimi i figurave më të ndritura kombëtare të Rilindjes kanë qenë mësues. Ata na kanë lënë edhe vepër të shkruar. Petro Nini Luarasi ishte patriot për të qenë mësues, mësues për të qenë patriot. Naim Frashëri, veç poezisë së kulluar, ka dhe poezinë mësimdhënëse: poeti ynë kombëtar e vendosi pra artin poetik në shërbim të pedagogjisë. Ata e dinin shumë mirë se profesionalizmi ka muzikën dhe ritmin e vet.
Pandeli Sotiri, Vëllezërit Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, motrat Qiriazi dhe shumë patriotë të tjerë që themeluan Shoqërinë e Stambollit e pastaj Shoqërinë ‘Drita’ për të ardhur deri tek ajo shkolla e parë shqipe, përvjetorin e së cilës ne e kremtojmë sot, pikërisht me 7 mars.
Andaj, sot kujtojmë pra mësonjëtoren e Korçës, kujtojmë Pandeli Sotirin e motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi dhe kujtojmë edhe vëllezërit Frashëri, të cilët i pajisën me leje për mësimdhënie e për hapjen e shkollave shqipe edhe Pandeli Sotirin edhe motrat Qiriazi.
Dashuria për kombin ishte e lidhur ngushtë me dashurinë për dijen dhe arsimin.
Dija profesionale nuk është e ftohtë, por e pasionuar, të nderuar të pranishëm. Sa ç ‘ishin poetë, ishin edhe mësues, ashtu si të tjerë që ishin sa mësues edhe luftëtarë. Branko Merxhani mendonte se arsimi duhet të prirej nga pozitivizmi i sociologjisë, sepse mendonte sipas frymës më moderne evropiane të kohës së tij. Ai e dinte që shoqëria është progresive sa edhe shkalla e mësimdhënies së vet.
Programi i Sami Frashërit është i vlefshëm më shumë se kurrë në paragrafët e tij mbi përqendrimin universitar të kombit, por nuk dihet se sa është lexuar e interpretuar në sallat e ligjëratave tona. Migjeni është poeti i rinisë dhe mësuesi i Lulit të vocërr. Ne kemi pra plejadën e tërëkohshme të mësuesve, në historinë tonë kombëtare e në jetën tonë intime. Por, nuk e kemi ende epopenë e arsimit.
Atë epope që nis e zë fill në mendjen e nxënësit fillor deri kur shkel në tempullin e universitetit. Patriotizmi i dijes dhe pasioni i njohjes nuk duhet të vriten nga teknologjia, por duhet të ushqehen nga programe të vërteta që ndihmohen nga teknologjia. Sado e zhvilluar teknologjia, ajo është një protezë dhe njeriu nuk e ka të drejtën të dijë më pak se sa proteza e tij.
Shteti kujdeset që të krijojë kushtet, të caktojë standardet dhe t’i zbatojë ato, por mësuesit duhet të motivojnë e prindërit duhet të prindërojnë.
Asnjë program qeveritar nuk mundet që të heq telefonat nga duart e fëmijëve e t’ua bëjë atyre detyrat e shtëpisë. Është mirë që prindërit të kujdesen që edukimi dhe nxitja për lexim t’i përcjellë fëmijët edhe kur ata nuk janë në shtëpi.
Të nderuar deputetë dhe kabinet qeveritar,
Sot i urojmë mësuesit ditën e tij, por i urojmë nxënësit ditën e mësuesit të tij, ditën e pasionit të dijes dhe të njohjes. Për sa që është i ndritur ky rol, krejt shoqëria njerëzore ka shpresë. Qeverisë nuk i takon të mjaftohet me një urim, por me garantimin e kushteve të ushtrimit të profesionit. Më së pari, qeveria dhe të gjithë organet administruese duhet të jenë të ndërgjegjshëm se sa më shumë mësues emancipues të kemi mes nesh, aq më shumë shoqëria është e garantuar prej despotizmit, racizmit dhe korruptimit.
I ndritur qoftë roli i mësuesit!
Ju faleminderit të gjithëve./FolDrejt/