Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur angazhimin e jashtëm publik me festivalin “Manifesta”, me pritjen që ka organizuar për gazetarët ndërkombëtarë dhe vendorë, në tarracën e Hotelit Grand.
“Manifesta katërmbëdhjetë” në Prishtinë është lajmi më i mirë që mund të kemi për këtë verë për kaq shumë komunitete të ndryshme, ka thënë kryeministri Kurti në fjalën e tij para gazetarëve. Roli i gazetarisë së kulturës, sipas kryeministrit, është ta bëjë të arritshme të magjishmen, që arti të jetë ndryshues i jetës, që ai të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme. Pa kritikën, kultura është e pabazuar; pa reporterin, arti shuhet, ka shtuar ai, transmeton Fol Drejt.
Aktualisht, hapësirat kryesore në media janë të mbushura me luftëra, ngrohje globale, inflacion e kështu me radhë. Megjithatë, jeni ju, gazetarët e artit, që ofroni një shteg të madh për reflektim nëpërmjet mbulimit tuaj të ngjarjeve kulturore, lidhjeve që na lidhin së bashku, ka thënë kryeministri.
Ministria e Kulturës po punon për krijimin e një muzeu të artit bashkëkohor, andaj, siç tha kryeministri,“Manifesta” vjen në kohën e duhur sepse e gjithë përvoja e fituar nga “Manifesta” do të jetë vendimtare në themelimin e këtij muzeu.
Ai ka shprehur shpresën që deri në festivalin e radhës “Manifesta”, do të mund të ndahen lajme shumë të mira në lidhje me përparimin e muzeut të artit bashkëkohor të Kosovës.
Kryeministri ka përshëndetur edhe gjashtë gazetarët nga Ukraina, të cilët ishin të pranishëm në pritjen e organizuar dhe ka shprehur simpatinë, empatinë, admirimin dhe solidaritetin për luftën çlirimtare të popullit të Ukrainës.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:
Të dashur mysafirë,
Të dashur gazetarë ndërkombëtarë,
Të dashur gazetarë vendorë,
Kam kënaqësinë të filloj me ju angazhimin tim publik në ambiente të jashtme me festivalin “Manifesta” dhe është e mënyra më e mirë që në festivalin “Manifesta” ta fillojnë ditën e tyre të ngarkuar duke ju nderuar juve që mbuloni fushën e kulturës.
Roli i gazetarisë së kulturës është ta bëjë të arritshme të magjishmen, që arti të jetë ndryshues i jetës, që ai të bëhet pjesë e jetës sonë të përditshme: ne mbështetemi në gazetarinë e kulturës. Pa kritikën, kultura është e pabazuar; pa reporterin, arti shuhet.
Sot, njerëzit bombardohen me informacione kudo që shohin, kudo që shkojnë. Shpesh, ky informacion ka të bëjë me politikën dhe politikanët. Aktualisht, hapësirat kryesore në media janë të mbushura me luftëra, ngrohje globale, inflacion e kështu me radhë. Megjithatë, jeni ju, gazetarët e artit, që ofroni një shteg të madh për reflektim nëpërmjet mbulimit tuaj të ngjarjeve kulturore, lidhjeve që na lidhin së bashku.
Ndërkohë, ju gazetarët e artit ndikoni edhe në gazetari edhe në art. “Manifesta katërmbëdhjetë” në Prishtinë është lajmi më i mirë që mund të kemi për këtë verë për kaq shumë komunitete të ndryshme. Së pari, industria kulturore po kthehet ngadalë në normalitet. Bienalja e artit rikthehet sërish pas tre vitesh bllokim. Lajm i mirë për komunitetin artistik në mbarë botën. Së dyti, kapacitetet lokale artistike dhe logjistike janë në presion dhe po nxirren shumë mësime. Dhe së treti, “Manifesta” do të thotë lulëzim të turistëve që është ajo që i duhet sërish vendit tonë, veçanërisht pas bllokimit për shkak të COVID.
Siç mund ta dini tashmë, Kosova ka nxjerrë shumë artistë të mirënjohur bashkëkohorë. Si qendër e kulturës, Republika e Kosovës na detyrohet që të angazhohet shumë seriozisht në krijimin e infrastrukturës që këta artistë të zhvillohen dhe të punojnë këtu. Kemi shumë artistë të pazbuluar që po ashtu duhet të kenë të drejtën dhe infrastrukturën dhe kushtet e tjera që të mund të mësojnë, të performojnë dhe të bëhen artistë këtu.
Prandaj, Ministria e Kulturës po punon për krijimin e një muzeu të artit bashkëkohor. “Manifesta” vjen në kohën e duhur sepse e gjithë përvoja e fituar nga “Manifesta” do të jetë vendimtare në themelimin e këtij muzeu. Tashmë kemi në ekip shumë artistë të mëdhenj që po vizualizojnë muzeun dhe shpresojmë që deri në festivalin e radhës “Manifesta” do të mund të ndajmë lajme shumë të mira në lidhje me përparimin e muzeut të artit bashkëkohor të Kosovës.
Por, kapaciteti kulturor i Kosovës shkon përtej artit bashkëkohor. Kemi shumë muzikantë të suksesshëm, kineastë të njohur botërisht, shkrimtarë të njohur, një nga festivalet më të mëdha botërore të dokumentarëve, etj. Dhe qeveria jonë në vitet e para e ka dyfishuar buxhetin për filmin dhe muzikën. Ne sapo kemi filluar. Shpresoj t’i shijoni ditët tuaja këtu. Do ta shihni pse Kosova arrin më shumë se sa që pritet në të gjitha sferat krijuese. Ka të bëjë me energjinë tonë.
Faleminderit shumë. Dhe, nëse arti aludon të jetë i rrallë dhe kultura të jetë zakon, shpresoj se puna jonë e përbashkët mund të ndihmojë për ta bërë kulturën më artistike dhe për ta bërë artin një çështje kulture.
Më lejoni ta përfundoj duke i uruar mirëseardhjen sërish një gazetari nga Ukraina, i cili u bë banor i kryeqytetit tonë Prishtinës që nga pushtimi dhe agresioni ushtarak i pajustifikuar, i paprovokuar dhe i tmerrshëm rus në Ukrainë. Shprehim simpatinë, empatinë, admirimin dhe solidaritetin tonë për luftën çlirimtare të popullit të Ukrainës. Ju falënderoj përsëri./FolDrejt/