Në një postim të tij në faqen zyrtare në Facebook, kryeministri Kurti ka përmendur edhe një herë vendimet që ka marrë sot Qeveria e Kosovës, vendime që lidhen me kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe me çështjen e veturave me targa të regjistrimit të Serbisë.
Kurti ka theksuar vendimin sipas së cilit çdo person që paraqitet për kalim në kufirin shtetëror me dokument identifikimi të lëshuar nga Serbia, do të pajiset me fletë-deklarim dhe në anën tjetër rreth targave ka theksuar se do të vazhdojë të përdoret ngjitësi në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, transmeton Fol Drejt.
Njëkohësisht, Kurti ka përmendur edhe vendimin sipas së cilit u kërkohet komunave paralele kalimi në targat RKS.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
“Me vendim të qeverisë sot rregulluam kalimin e kufirit shtetëror për qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, si dhe veturat me targa të regjistrimit të Serbisë. Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajiset me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Ndërsa automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të vazhdojnë të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror. Ky mekanizëm do të vlejë deri me 31 tetor 2022.
Ndërkaq përmes një vendimi tjetër në mbledhjen e sotme mundësuam regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022. Regjistrimi do të fillojë më 1 gusht 2022 dhe do të zgjasë deri më 31 shtator 2022. Ky vendim ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë.”/FolDrejt/