Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është treguar entuziast sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen e Kosovës ndaj Irlandës Veriore, ndaj të cilës fitoi me rezultat 3:2.
Kurti, duke folur para gazetarit të Klan Kosovës, i ka propozuar atij diçka, që lidhet me përgatitjet teknike para transmetimeve televizive.
Ai ka thënë se herave të ardhshme mikrofoni i televizionit duhet të testohet me shprehjen “tre, dy, tre, dy”, sipas rezultatit të sontshëm të fitores së Kosovës dhe jo më “një, dy, një, dy”.
Kurti ka thënë se nuk mund t’i dallojë lojëtarët e Kosovës, kur është pyetur se cili ishte i preferuari i tij sonte.
Po ashtu, kryeministri ka thënë se politika duhet ta ndjekë sportin kosovar, pas sukseseve të shënuara.