Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reagur pas ngjarjes tragjike në komunën e Pejës, ku vërshimet e mbrëmshme lanë të vdekur një nënë dhe djalin e saj 5-vjeçar, transmeton Fol Drejt.
Kurti, përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook, humbjen tragjike të Mirsada dhe Dion Ademajt e cilësoi si humbje të madhe për gjithë Kosovën.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetëve të dy qytetarëve tanë, Dion Ademaj dhe Mirsada Ademaj, nga vërshimet e mbrëmshme në Pejë.
Kjo humbje e madhe për familjet Ademaj dhe Hoxhiq është humbje e madhe për vendin tonë. Në këto ditë të rënda, dhembjen e ndajmë bashkë me familjarët dhe miqtë e tyre.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.”, është shprehur kryeministri Kurti.
“Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar me kapacitetet e saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmojë në përballimin dhe tejkalimin e pasojave të vërshimeve. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme.”, ka shtuar më tej./FolDrejt/