Në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Adem Demaçin dhe Astrit Deharin, të cilët i ka cilësuar si busulla të partisë që drejton.
Për ish-aktivistin e VV-së, Astrit Deharin, kryeministri Kurti ka thënë se është viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur, ndërsa Demaçin e ka cilësuar si vigan të rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe.
“Të dy janë busulla të Lëvizjes sonë dhe për sa kohë që të jetoj kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin, kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund për shokun tonë, Astrit Deharin”, ka shtuar tutje./FolDrejt/