Kryeministri i Republikës së Kosovës – Albin Kurti, ka dhënë së fundi një intervistë për të përditshmen spanjolle El Pais, shkruan Fol Drejt.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (Prishtinë, 47 vjeç), ka një zyrë në katin e dytë të një ndërtese qeveritare 13-katëshe që në ish-Jugosllavi i përkiste një banke. Si zyra e Kurtit, ashtu edhe lagjja që e strehon atë në kryeqytet, Prishtinë, pasqyrojnë modestinë e një vendi me 1.8 milionë banorë, i cili u shkëput nga Serbia pas ndërhyrjes së NATO-s kundër Beogradit në vitet 1998-1999 dhe që shpalli pavarësinë e njëanshme në 2008. Që atëherë, vendosja e mijëra ushtarëve të NATO-s ka qenë thelbësore për ruajtjen e paqes” – fillon rrëfimin gazetari i El Pais – Francisco Peregil.
Në intervistën e tij të zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës, Peregil, ndalet te disa çështje, e ndër të tjera edhe te synimet e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës: “Mungesa e marrëveshjes me Serbinë e bën Rusinë të përpiqet të zgjasë luftën në Ballkan” – ka thënë ndër të tjera Kurti për Pais.
Për më shumë, sipas rrëfimit të Peregil “lideri kosovar akuzon Beogradin se po shmang normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe po përfiton nga konflikti në Ukrainë.”
Ndër të tjera Kurti është shprehur optimist që kreu i qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez të ndryshojë qëndrimin e tij për njohjen e Kosovës, në mënyrë që republikës sonë t’i lehtësohet rruga për në BE. Kurti ka sqaruar se Kosova nuk është një rast i ngjashëm sikurse Katalonja, ndaj nuk ka vend për shqetësim./FolDrejt/