Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën shkencore kushtuar studiuesit të albanologjisë, profesorit dhe drejtuesit shumëvjeçar të Institutit Albanalogjik të Prishtinës, Sadri Fetiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti e lartësoi figurën e profesor Fetiut, duke e përshkruar atë si pedagog të urtë, i cili rrezatonte te nxënësit dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet.
“Njerëzit e mëdhenj janë të prirur ta shohin veten të vogël. Profesor Fetiu jetonte dhe sillej me thjeshtësi e përulësi ndaj secilit njeri. Ai i argumentonte vendimet shtruar e me qetësi dhe pranonte mendimet e tjetrit me mirëkuptim”, tha kryeministri Kurti në fjalën e rastit.
Ai e solli në kujtesë rezistencën e profesor Fetiut në mbrojtje të Institutit Albanologjik, kur forcat e regjimit serb ndërhynë dhunshëm në institucionin shkencor, në mars të vitit 1994.
I doktoruar në “Poetikën e baladës popullore shqiptare”, në pasqyrën e bibliografisë së prof.dr. Fetiu, përfshihen dhjetëra punime profesionale dhe shkencore. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, romane, analiza e përkthime të poezive dhe librave studimorë.
“Me pasionin që kishte për studime e hulumtime shkencore, albanologu ynë i pakompromis me siguri do ta pasuronte bibliografinë e tij dhe kulturën tonë edhe me shumë botime e studime të tjera sikur të mos na e rrëmbente vdekja, më 10 maj të vitit të kaluar”, tha kryeministri.
Ai i përgëzoi organizatorët për tryezën shkencore në nderim të profesorit Fetiu, sepse siç tha kryeministri, një studiues i përkushtuar për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e popullit të vet s’mund të kujtohet më mirë përveçse duke i tubuar pranë tryezës studiuesit, që me diskutime e kumtesa të ndriçojnë një pjesë të veprimtarisë së tij shkencore, intelektuale dhe atdhetare, tha kryeministri.
“Do të dëshironim që sot, në ditëlindjen e 80-të, profesori të ishte këtu me ne, që të na pasuronte këtë tryezë me mendimet e ndritura apo me përmbledhjet më të reja nga folklori ynë i pasur. E ne t’ia shprehnim atij nga afër gjithë nderimin dhe falënderimin për kontributin e pakursyer për kombin, arsimimin e shumë brezave dhe përparimin e studimeve albanologjike”, tha kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar familjarë të prof.dr. Sadri Fetiut, zonja Fetije, Shkëlzen, Shqipe, Jetë,
I nderuari profesor akademik Rexhep Qosja,
I nderuari drejtor i Institutit Albanologjik, z. Hysen Matoshi,
Të nderuar miq, studiues e bashkëpunëtorë të profesor Fetiut,
Të nderuar deputetë të Kuvendit e veprimtarë, Avni Dehari, Hydajet Hyseni e Gani Krasniqi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Para se ta njoh si studiues të pasionuar të folkloristikës dhe drejtues shumëvjeçar të Institutit të Albanologjisë, Sadri Fetiun e kam njohur si mësimdhënës e patriot. Me shumë admirim më fliste babai për profesorin e tij të dashur të gjuhës shqipe.
E përshkruante pedagog të urtë, i cili rrezatonte te nxënësit dashamirësi, humanizëm, kulturë, sinqeritet. Gjithnjë i natyrshëm në biseda, asnjëherë kërcënues, tejet i sjellshëm, kurrë i acaruar dhe gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar secilin. Mbi të gjitha, ai impononte respekt me personalitetin e tij të padiskutueshëm intelektual e shkencor. I tillë do të mbetej gjithë jetën.
Profesor Fetiu kishte nisur të ligjërojë lëndën e gjuhës shqipe ende pa i përfunduar studimet, sikurse bënin shumë studentë shqiptarë të kohës. Kishte mungesë të kuadrove të arsimuar shqiptarë dhe shumica e lëndëve ligjëroheshin nga profesorët serbë. Kjo situatë duhej të ndryshonte dhe mësuesit e arsimtarët ishin të nevojshëm si buka e uji.
Ishte viti shkollor 1965/66 kur në shkollën e mesme teknike të Prishtinës, nisi të japë mësim profesori, i cili me qasjen e tij në ligjërim ua ndryshonte nxënësve botëkuptimet dhe mbrunte te ta ndjenjat më të larta për idealin kombëtar dhe rëndësinë e arsimimit të shqiptarëve.
U fliste me pasion e krenari për rilindasit dhe veprat e tyre. Nëpërmjet poezive ua ngjallte në shpirt atdhedashurinë dhe kureshtjen për letërsinë, artin dhe të bukurën. Natyra e tij prej njeriu të urtë e të qetë nuk ia lejonte as vrazhdësinë as autoritetin mbi nxënësit. Me butësi e gjentilencë u ofrohej atyre kur donte të testonte njohuritë e nxëna. Një “trokitje” e lehtë me grusht në supin e tyre ishte mënyra sesi ai u kërkonte të ngriten në këmbë për të recituar poezinë apo për të shpjeguar njësinë e fundit mësimore. Te ai nxënësit gjenin edhe mbrojtësin edhe përkrahësin më të madh për çfardo padrejtësie që u bëhej nga autoritetet e shkollës apo të pushtetit.
Unë si fëmijë, para se ta hasi Evgjeninë te letërsia dhe mitologjia antike, Euripidi e Lukreci e më vonë edhe te Dante e te Gëte, e kam mësuar Evgjeninë e Andon Zako Çajupit te poezia “Vaje”. Mirëpo para se të shkoj në shkollë e mbaj në mend mirë që babai e recitonte këtë poezi, të cilën unë mendoja që quhet “Evgjenia”, e jo “Vaje”. Atëkohë jo vetëm që mendoja që quhet “Evgjenia” e jo “Vaje”, por mendoja që e ka shkruar Sadri Fetiu, sepse babai e recitonte poezinë edhe thoshte që ja ka mësuar Sadri Fetiu. E unë besoja që ai që ia ka mësuar edhe e ka shkruar. Është dashur shumë vjet më vonë në shkollë ta marr vesh se poezia nuk quhet “Evgjenia”, por quhet “Vaje” dhe se nuk e ka shkruar Sadri Fetiu, por e ka shkruar Anton Zako Çajupi. Sa është i rëndësishëm prindi, po aq i rëndësishëm është edhe prindi i prindit e që nuk është gjyshi. Para se të kem mësuese timen, kam pasur mësues të prindit tim, e që ka qenë Sadri Fetiu.
Profesor Fetiu ishte frymëzuesi dhe shtysa e ish-nxënësve të tij organizatorë të demonstratave studentore të vitit 1968: Osman Dumoshi, Afrim Loxha, Skënder Muçolli e të tjerë. Në vitin e kthesës së madhe për fatin politik dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në ish Jugosllavi, profesori së bashku me intelektualë të tjerë ishin promotorët e lëvzjes kombëtare për realizimin e të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje.
Njerëzit e mëdhenj janë të prirur ta shohin veten të vogël. Profesor Fetiu jetonte dhe sillej me thjeshtësi e përulësi ndaj secilit njeri. Ai i argumentonte vendimet shtruar e me qetësi dhe pranonte mendimet e tjetrit me mirëkuptim. Vepronte me konsistencë dhe pa u imponuar, mu sikurse një lum i thellë që ndjekë rrjedhën e vet pa zhurmë. Natyra e tij bujare e tolerante nuk e bënte më pak trim. Përkundrazi. Kur duhej mbrojtur interesin e popullit dhe të shoqërisë, ai ishte i pathyeshëm në karakter. Sidomos në rezistencën kundër pushtuesit serb.
Me siguri, që ju familjarë dhe bashkëpunëtorë të asaj kohe e dini më mirë dhe e kujtoni më qartë kundërshtimin e profesorit ndaj ndërhyrjes së dhunshme të regjimit serb në Institutin Albanologjik, në mars të vitit 1994.
Po e sjell në kujtesë këtu për gjeneratat e reja, që ta njohin më mirë sakrificën e intelektualëve tanë në mbrojtje të vlerave tona kombëtare e kulturore.
Kur ndërtesa e Institutit Albanologjik të Prishtinës qe rrethuar nga forca të mëdha të policisë serbe, profesor Fetiu me gjakftohtësi e guxim intelektual, ishte përpjekur t’i bindte përfaqësuesit e regjimit se është e papranueshme ndërhyrja e dhunshme e politikës në një institucion shkencor. Rezistenca e tij dhe e bashkëpunëtorëve në mbrojtje të Institutit ishte shtypur me dhunë. Ata ishin nxjerrë të përgjakur nga këto zyra, ku me vite kishin shkrirë mund e dije për avancimin e studimeve albanologjike.
Në deklaratën dhënë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, profesor Fetiu ngjarjen do ta përshkruante kështu:
“… Në godinë kishte rreth 40 njerëz. Midis kateve hasa drejtorin e burgut. Ngrita duart dhe bërtita se drejtor jam unë këtu dhe i kërkova të më japin përgjigje se kush janë ata, çfarë urdhri kanë. Më shau nënën shqiptare, bërtiti se do të na vrasë të gjithëve, se nuk e dimë se me kë kemi punë. Në atë moment dikush më goditi në gojë dhe në shpinë. Rashë poshtë. M’i thyen syzet. Nuk desha të dalë jashtë. Thirra me zë të lartë që të më vrasin. Më shtynë drejt një xhami, i rashë me kokë, u lava në gjak. Më nxorën jashtë…”
Vullneti dhe këmbëngulësia e studiuesve shqiptarë si prof.dr. Fetiu ishin më të forta sesa sfidat e imponuara nga pushtuesi. Ia kishin arritur, që në rrethana të rënda të organizoheshin sërish për të vazhduar studimet, hulumtimet dhe botimin e librave në interes të studentëve, krijuesve dhe ruajtjes së trashëgimisë tonë gjuhësore dhe etnologjike.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare, profesor Fetiu si studiues i folklorit e letërsisë, mësimdhënës e drejtues i Institutit Albanologjik, iu përkushtua tërësisht ngritjes në nivel edhe më të lartë të studimeve albanologjike dhe zhvillimit të kuadrit shkencor. Ndonëse asnjëherë nuk iu bashkua ndonjë subjekti politik, ai nuk u ndal së angazhuari për përmirësimin e parregullsive dhe padrejtësive, që kapluan arsimin dhe shoqërinë tonë të pasluftës.
I doktoruar në “Poetikën e baladës popullore shqiptare”, në pasqyrën e bibliografisë së prof.dr. Fetiu, përfshihen dhjetëra punime profesionale dhe shkencore. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare. Disa nga studimet e tij janë botuar edhe në revistat shkencore franceze dhe në ato të Tiranës.
Ndër veprat e tij më të dalluara janë “Romani shqiptar i luftës”, “Ninulla”, “Këngë dhe lojëra të fëmijëve”, “Poetika e baladës popullore shqiptare”, “Këngë kreshnike II”, “Rizah Bllaca – Këngë popullore, I dhe II”, “Vargje satirike”, “Balada popullore shqiptare – Aspekte krahasimtare”, “Udhëkryqet e Kosovës”, “Këngë popullore historike” në pesë vëllime, “Folkloristikë”, dhe “Aspekte të studimeve albanologjike”.
Në fushëveprimtarinë e prof.dr. Fetiut, rëndësi të madhe kanë edhe përkthimet e veprave të studiuesve të albanologjisë, por edhe të poetëve.
Ndër përkthimet më të spikatura është vepra e fundit e ilirologut Aleksandër Stipçeviq, “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës”.
Vetë profesor Fetiu, veprën e rrallë, që ia kishte bërë dhuratë lexuesit shqiptar, do ta cilësonte si model për të gjithë ata që synojnë të merren seriozisht me shkencat humanitare, sidomos me studimet në fushën e antropologjisë kulturore, të folkloristikës dhe albanologjisë në përgjithësi.
Me pasionin që kishte për studime e hulumtime shkencore, albanologu ynë i pakompromis me siguri do ta pasuronte bibliografinë e tij dhe kulturën tonë edhe me shumë botime e studime të tjera sikur të mos na e rrëmbente vdekja, më 10 maj të vitit të kaluar.
E nderuara familje e profesorit,
Të nderuar miq e bashkëpunëtorë të tij,
Një studiues i përkushtuar për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe traditën e popullit të vet s’mund të kujtohet më mirë përveçse duke i tubuar pranë tryezës studiuesit, që me diskutime e kumtesa të ndriçojnë një pjesë të veprimtarisë së tij shkencore, intelektuale dhe atdhetare.
Do të dëshironim që sot, në ditëlindjen e 80-të, profesori të ishte këtu me ne, që të na pasuronte këtë tryezë me mendimet e ndritura apo me përmbledhjet më të reja nga folklori ynë i pasur. E ne t’ia shprehnim atij nga afër gjithë nderimin dhe falënderimin për kontributin e pakursyer për kombin, arsimimin e shumë brezave dhe përparimin e studimeve albanologjike.
Prehu në paqe e qetësi i dashuri professor, dhe krenar për trashëgiminë familjare dhe akademike që ke lënë pas. Do të kujtojmë gjithmonë si personalitet të veçantë në fushën e albanologjisë e folkloristikës, mik të dashur e profesor të respektuar për nxënësit e studentët, që kanë pasur fatin të të kishin pedagog. Do të mbetesh përherë model i intelektualit dhe njeriut me cilësi të çmuara morale e atdhetare./FolDrejt/