Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot ka aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur.
Siç ka bërë me dije Kurti, po zhvillohen një varg hetimesh mbi punën e institucioneve përkatëse, të lidhura me çështjen e viktimës 35-vjeçare, që u vra mbrëmë nga ish-bashkëshorti i saj, teksa tutje, Kurti ka shtuar se i gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje, transmeton Fol Drejt.
“Zinxhiri që duhet (dorë)hequr
Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar.
I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje.”, ka shkruar kryeministri Kurti në facebook./FolDrejt/