Nderimi dhe lartësimi i kujtimit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, ishte në qendër të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, stafin dhe studentët e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre, transmeton Fol Drejt.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, u përkujtuan fëmijët e vrarë, të zhdukur apo që e kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, si dhe u bisedua për procesin e filluar të konsultimeve me familjarët për mënyrën më të mirë të përkujtimit të memorializimit.
Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, nuk janë të kaluara dhe plagët nga to ende janë të njoma, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi se veçanërisht vrasjet e fëmijëve dhe shtatëzënave gjatë luftës janë gjenocid i kryer nga Serbia, krim ndaj brezave të ardhshëm, që nuk mund të harrohet e as të falet.
Në takimin me studiues e student u bisedua për fillimin e fazes së konsultimit dhe hartimit të dokumentit narrativ mbi memoralin për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. U theksua se pas hartimit të dokumentit, do të bëhet shpallja e konkursit ndërkombëtar për projektin e memorialit të fëmijëve. Për prindërit, familjarët dhe dëshmitarët, Qeveria e Republikës së Kosovës ka hapur linjën telefonike: 046 222 006, si dhe e-mail adresën [email protected], ku mund të kontaktohet ekipet për të shkuar te familjet dhe për t’u inkuadruar në procesin e konsultimeve.
Në këtë takim Kryeministri Kurti u shoqërua nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ku morën pjesë edhe Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Njomëza Llullaku, Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli, profesorët Durim Abdullahu dhe Erëblir Kadriu, si dhe studentët e angazhuar për procesin e konsultimeve me familjarët e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës 1998-99 në Kosovë./FolDrejt/