Sot po mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Në këtë mbledhje, kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e pestë të kalimit në amshim të veprimtarit të shquar, Adem Demaçit dhe njëkohësisht rënies heroike në krye të detyrës të heroit Enver Zymberi.
Kurti i ka cilësuar këta dy përvjetorë si përvjetorë të rëndësishëm të jetës sonë politike dhe publike.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Kjo mbledhje e sotme korrespondon me dy përvjetorë të rëndësishëm të jetës sonë politike dhe publike.
Pesë vjet më parë, u nda nga jeta, veprimtari i pashoq, intelektuali i shquar i kohës sonë, Adem Demaçi. Unë ditën e fillova pikërisht duke bërë homazhe te varri i tij. Përkujtimi për jetën dhe veprën e tij, është rikujtimi më i mirë për shërbimin, për sakrificën, për qëndresën dhe për idealin. I kaloi gjithsej 28 vjet nëpër burgje, e mbeti i pathyeshëm përherë. Përballë pushteteve shtypëse jugosllave e serbe mbi shqiptarët, për asnjë moment nuk pranoi kompromise me lirinë, edhe atëherë kur iu mohua liria, e iu kërcënua jeta. Sepse për Bacën Adem, liria dhe jeta ishin një. Jetën për liri. Lirinë deri në vdekje. Përkulemi para veprës së tij, me zotimin për t’i qëndruar besnik mësimeve dhe trashëgimisë që la pas. Në nderim të Bacës Adem, nën patronazhin tim, si kryeministër, sonte do të organizohet edhe një Akademi Përkujtimore në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar prej orës 19:00.
E një vit më parë, në të njëjtën datë dhe po në mbledhje të Qeverisë, së bashku kishim caktuar 26 korrikun si Ditën Memoriale të Policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Kjo datë përkon me përvjetorin e rënies së zyrtarit policor, heroit Enver Zymberi. 12 vite më parë, ai u vra nga strukturat kriminale të Serbisë gjatë një aksioni që po zhvillonte Policia e Kosovës në veriun e vendit tonë. Enver Zymberi do mbetet simbol i përjetshëm i sovranitetit dhe i ligjshmërisë në Republikën e Kosovës. Drejtësia dhe dënimi për vrasësit e tij është domosdoshmëri, ndërsa vijimësia e angazhimit të kolegëve të tij në çdo cep të Republikës sonë, është shembulli më i mirë që kemi mes nesh.
Emrin e tij do ta lartësojmë e nderojmë edhe sot, me zbulimin e pllakës së tij përkujtimore në kampin e Policisë, në “Belvedere”, të cilin do ta quajmë Kampi i Policisë, “Enver Zymberi”.
Sot, bashkë me të, përkujtojmë 22 pjesëtarët e rënë të Policisë së Kosovës, në situata të ndryshme, sakrifica e të cilëve u bë njësoj shembull i brezave të rinj e gjeneratave të reja të Policisë së Kosovës, të cilat sa vijnë e shtohen.