Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mori sot pjesë në ceremoninë e përurimit të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe atë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim, në Komunën e Prishtinës.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se është nder i veçantë pjesëmarrja e tij në këtë përurim të këtyre dy objekteve ku tani, sportistët tanë do të kenë më në fund, një qendër që ofron shërbime mjekësore të asaj cilësie të lartë të cilën ata e meritojnë.
‘’Tash e sa vjet, jemi dëshmitarë se sportistet dhe sportistët tanë po arrijnë standardet më të larta të mundshme nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Brenda një kohe të shkurtër, ata e kanë vendosur Republikën e Kosovës në hartën botërore të sportit, duke i shërbyer kështu jo vetëm avancimit të karrierave të tyre individuale, por edhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe të imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare’’, është shprehur kryeministri.
Hapja e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive sipas kryeministrit do na mundësojë, tani më shumë se kurrë, parandalimin e sëmundjeve dhe njëherit diagnostifikimin e sëmundjeve të sportistëve, përmes kontrolleve sistematike shëndetësore. ‘’Në këtë mënyrë, sportistëve të Kosovës do t’u jepet mundësia që të shkëlqejnë edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme edhe në Kosovë edhe në botë’’, veçoi ai.
Po aq e rëndësishme është edhe hapja e objektit të ri e Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit. Kjo klinikë, shtoi më tej kryeministri, është struktura e vetme e kujdesit terciar shëndetësor në Kosovë, e cila ofron shërbime të diagnostifikimit si dhe të trajtimit të veçantë të patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe të rehabilitimit.
Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës fizike, Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht edhe në përditësimin e infrastrukturës ligjore në fushat e mjekësisë sportive dhe mjekësisë fizikale dhe rehabilituese.
Këto përditësime, tha më tej ai, po synohen të bëhen përmes një ligji të ri për shëndetësi nga njëra anë, dhe përmes procesit të planifikimit strategjik në fushën e sportit në anën tjetër.
Hapja e këtyre dy objekteve të reja sot është vetëm fillimi, kurrsesi përfundimi i bashkëpunimit tonë, tha ndër tjera kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar mjekë dhe infermierë,
I nderuar ministër, zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë për mua që të marr pjesë sot këtu në përurimin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive, si dhe të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit.
Tash e sa vjet, jemi dëshmitarë se sportistet dhe sportistët tanë po arrijnë standardet më të larta të mundshme nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare. Brenda një kohe të shkurtër, ata e kanë vendosur Republikën e Kosovës në hartën botërore të sportit, duke i shërbyer kështu jo vetëm avancimit të karrierave të tyre individuale, por edhe forcimit të shtetit të Kosovës dhe të imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Tash, me hapjen e objektit të ri, sportistët tanë do të kenë, më në fund, një qendër që ofron shërbime mjekësore të asaj cilësie të lartë të cilën ata e meritojnë. Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive do të ketë infrastrukturë të mjaftueshme për të zhvilluar aktivitetin e saj duke përmbushur standardet ndërkombëtare të kësaj fushe.
Përmbushja e këtyre standardeve është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e mëtejshëm të sportit në vendin tonë. Hapja e kësaj qendre të re do na mundësojë, tani më shumë se kurrë, parandalimin e sëmundjeve dhe njëherit diagnostifikimin e sëmundjeve të sportistëve, përmes kontrolleve sistematike shëndetësore. Në këtë mënyrë, sportistëve të Kosovës do t’u jepet mundësia që të shkëlqejnë edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme edhe në Kosovë edhe në botë.
Po aq e rëndësishme është edhe hapja e objektit të ri këtu të Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit. Kjo klinikë është struktura e vetme e kujdesit terciar shëndetësor në Kosovë, e cila ofron shërbime të diagnostifikimit si dhe të trajtimit të veçantë të patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe të rehabilitimit. Po ashtu, klinika si institucion arsimor, ofron edhe mundësi edukative dhe profesionale për specializantët e rinj, për studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Degës së Fizioterapisë. Deri tani klinika ka zhvilluar fushëveprimin e saj në kushte jashtëzakonisht të vështira. Me ndërtimin e këtij objekti të ri të klinikës, tani është e mundur që të ofrohen kushte dhe shërbime shëndetësore të cilësisë së lartë.
Ia vlen për të theksuar këtu se, ndërtimi i këtyre objekteve të reja ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për sportistët profesionistë, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Sipas Ligjit aktual për Shëndetësi, neni 33, paragrafi 1, fushëveprimi i mjekësisë sportive përfshin përkujdesjen për gjendjen shëndetësore edhe të qytetarëve të cilët merren në mënyrë rekreative me sport. Kjo do të thotë se, sa më të suksesshëm që të jemi, si shoqëri, në promovimin e kulturës së sportit mes qytetarëve tanë, aq më shumë punë do të kenë Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive dhe Klinika e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit.
Në këtë drejtim, Kosova ne e dimë që nuk do të ketë përgjithmonë popullsi kaq të re sa e kemi tani. Të rinjtë e sotëm do të jenë të moshuarit e të pas nesërmes. Nevoja për fizioterapi dhe shërbime të rehabilitimit vetëm do të rritet, gjithnjë e më shumë, me kalimin e viteve. Prandaj, ndërtimi i objekteve të reja që i përuruam sot, nuk janë thjesht një investim në infrastrukturë, por edhe një investim në shëndetësinë publike e cila do të na shërbejë me dekada me radhë.
Paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës fizike, Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht edhe në përditësimin e infrastrukturës ligjore në fushat e mjekësisë sportive dhe mjekësisë fizikale dhe rehabilituese. Këto përditësime ne po synojmë t’i bëjmë përmes një ligji të ri për shëndetësi nga njëra anë, dhe përmes procesit të planifikimit strategjik në fushën e sportit në anën tjetër.
Me fjalë të tjera, hapja e këtyre dy objekteve të reja sot është vetëm fillimi, kurrsesi përfundimi i bashkëpunimit tonë. Uroj që punët t’ju shkojnë mbarë dhe që përkushtimi juaj profesional të tejkalohet vetëm nga vullneti ynë për t’ju mbështetur, në të mirën e komunitetit të sportistëve të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve tanë./FolDrejt/