Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi ka njoftuar se janë miratuar gjithsej 578 vendime këtë vit, duke shënuar një ngritje prej 19% në krahasim me vitin e kaluar.
Në postimin e tij, kryeministri Kurti, njëkohësisht njoftoi se në mbledhjen e sotme, mbledhje kjo e fundvitit 2022, miratuan një sërë vendimesh në disa fusha: arsim, kulturë, sport, energji, infrastrukturë, e ndër tjerash edhe vendimin për njohje reciproke të patent shoferëve në Britani.
Postimi i plotë:
“Mbledhja e fundvitit 2022
Me plot 578 vendime të miratuara këtë vit, përfshirë këto 35 të mbledhjes së sotme, ne jemi 19% më lartë në krahasim me vitin e kaluar.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, miratuam Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe atë për Tekstet Shkollore.
Për mbrojtjen e veprimtarisë artistike, kaluam edhe Projektligjin për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Reformat në sektorin e bujqësisë, i mbështetëm me tri koncept-dokumente: për rregullimin e tokës, për turizëm rural, dhe për veterinarinë.
Po ashtu, për reformim të thellë të sistemit sportiv, aprovuam edhe koncept-dokumentin për sport.
Plotësuam bazën ligjore me udhëzimin administrativ për procedurat e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të sekuestruar dhe të konfiskuar.
Për energjinë, miratuam dy koncept-dokumente: për Rishikimin e ligjeve në sektorin e energjisë; dhe për Efiçiencë të energjisë.
Me ndarje buxhetore mundësuam strehimin në Kosovë të pesë gazetarëve afganë dhe ushtrimin e profesionit nga vendi ynë.
Për rehabilitimin hapësinor të Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, miratuam Planin Hapësinor për të.
Avancuam kornizën ligjore të kujdesit shëndetësor për shëndetin mendor.
Themeluam Ndërmarrjen Publike Lokale Eko Sig Sh. A. Pejë.
Miratuam tri nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar do të mundësojë njohjen reciproke të patentë shoferëve.”/FolDrejt/