Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 58-të të policisë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti e ka cilësuar policinë si vijimësi të UÇK-së, duke thënë se do të jenë përherë pjesë e historisë dhe përpjekjeve për ta forcuar Republikën e Kosovës.
“Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar të policisë në atë zonë, ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë policorë, ku 25 janë lënduar lehtë, një është plagosur e një ndodhet në tretman mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e arrestimit të kriminelit famëkeq ‘Llune’”.
“Të gjitha këto rezultate e sakrifica, në garantim të sundim të ligjit janë dëshmi se detyra e secilit polic kërkon përkushtim në detyrë, konsistencë në veprim dhe bindje të pakompromisë në respektim të ligjshmërisë”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”.
“Rezultatet e sukseset ndër vite të policisë, vetëmohimi dhe puna e palodhshme e policëve të 57 gjeneratave para jush dhe policët e rënë në krye të detyrës, le të jenë udhërrëfyes i punës suaj të përditshme”, ka shtuar kryeministri më tej./FolDrejt/