Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim veprimtarin dhe aktivistin për çështjet shqiptare, Naser Nika.
Në këtë takim shumë miqësor, kryeministri Kurti falënderoi aktivistin Nika për kontributin dhe punën e tij të madhe që ndërlidhet me vendin e popullin tonë, duke qenë zë i fortë i mërgatës sonë shqiptare në SHBA.
Nika i dhuroi kryeministrit Kurti një certifikatë mirënjohjeje nga kongresmenja Nicole Malliotakis, përfaqësuese e distriktit të 11-të të New York-ut.
Aktivisti Naser Nika njihet po ashtu për iniciativën e tij që një rrugë në Staten Island në New York, ka marrë emrin e një nga personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar, Ismail Qemali, rrugë kjo e cila u inaugurua ditë më parë, transmeton Fol Drejt.