Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Japonisë në Austri, Mizutani Akira, i cili është i akredituar si ambasador jorezident i Japonisë në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar ambasadorin japonez për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë, e cila po ndikon në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Duke vënë në pah rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, kryeministri Kurti ka theksuar se ne duam të kemi prezencë më të madhe të investitorëve japonezë në Kosovë në fushën e infrastrukturës, në energjinë e ripërtritshme dhe në teknologjinë hekurudhore. Në kuadër të kësaj, Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në OSAKA EXPO 2025, ka thënë ai.
Ambasadori Mizutani i ka dorëzuar kryeministrit Kurti një letër nga Kryeministri i ri i Japonisë, Fumio Kishida, në përgjigje të letrës së urimit që kryeministri Kurti i pati dërguar atij me rastin e marrjes së detyrës. Ai i ka shprehur gatishmërinë e Japonisë për të bashkëpunuar edhe më tej në fusha me interes reciprok.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar të Ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasavara, për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Kosovë. Po ashtu e ka uruar z. Keisuke Yamanaka, për fillimin e detyrës së tij si i Ngarkuar i Ambasadës së Japonisë në Kosovë./FolDrejt/