Interesi i të dy shteteve për intensifikim të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, u theksua në takimin e sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Ambasadorin jorezident të Republikës së Portugalisë për Kosovë, Jorge Ayres Roza de Oliveira.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj shtetit dhe institucioneve portugeze, për njohjen dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Kosovës me dekada, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se të dy vendet ndajnë të njëjtat vlera evropiane, kryeministri vlerësoi kontributin e dhënë nga Portugalia në përparimin e synimeve të Republikës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ambasadori theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë edhe në skenën ndërkombëtare, si një nga vendet e para që ka mbështetur zyrtarisht Kosovën në përpjekjet e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e hershme dhe e vazhdueshme ndaj popullit dhe shtetit tonë, veçanërisht në fushën e sigurisë nëpërmjet trupave portugeze në kuadër të KFOR-it. Duke përmendur indikatorët pozitivë ekonomikë dhe demokratikë të vendit, si dhe mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj, kryeministri Kurti theksoi potencialin për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare./FolDrejt/