Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri jo rezident të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid, të cilin e uroi për detyrën e re, raporton Fol Drejt.
“Duke e vlerësuar Pakistanin si shtet partner dhe popull mik, Kryeministri Kurti e falënderoi për mbështetjen ndaj vendit tonë, sidomos për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe përkrahjen e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.”, thuhet në raportin zyrtar.
Në njoftim thuhet se në takim është biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë për zgjerimin e tyre, veçanërisht në bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime tregtare, si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Nga ana e tij, Kryeministri Kurti ka theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë në vend dhe potencialin për investime, duke veçuar pozitën e favorshme gjeografike dhe popullsinë e re të talentuar.
Ndërsa ambasadori Junaid ka shprehur mirënjohjen e tij për bashkëpunimin ndërmjet Pakistanit dhe Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë për intensifikim të mëtejmë.
“Duke vlerësuar progresin mbresëlënës në vendin tonë, ai theksoi vullnetin e Pakistanit për të mbështetur zhvillimin në Republikën e Kosovës.”, thuhet në fund të njoftimit. /FolDrejt/