Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me shefin e stafit, Luan Dalipin, pritën në takim David Patton, president i Këshillit Amerikan dhe Michael Kurtis, zëvendës president për zhvillim strategjik. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Gjeni Shporta, përfaqësues i Kosovës në Këshillin Amerikan dhe Qëndrim Gashi nga Fondi Kosovar Amerikan i Edukimit (KAEF), transmeton Fol Drejt.
Patton dhe z. Kurtis shprehën falënderimin e tyre për bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Qeveria e Kosovës duke e cilësuar si një investim jashtëzakonisht të vlefshëm për të ardhmen e Republikës së Kosovës përmes edukimit të të rinjve në top universitetet të ShBA-ve. Të pranishmit e vlerësuan lart bashkëpunimin mes programit KAEF dhe Qeverisë në fusha të ndryshme.
Kryeministri Kurti ritheksoi zotimin e Qeverisë së Kosovës për t’ju hapur rrugë të rinjve për një edukim cilësor si dhe për të ju ofruar mundësi qasjeje në tregun e punës.
Këshilli Amerikan ka administruar dhe mbështetur bursa ndërkombëtare për qindra edukatorë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, si dhe studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.