Kryeministri i Republikës së Kosovës, priti sot në një takim miqësor miken e vendit tonë, ish-deputeten e Parlamentit Evropian nga radhët e CDU-së gjermane dhe ish-presidenten e Grave të EPP-së, Doris Pack, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti dhe znj. Pack, që njihen tash e 25 vjet, folën për zhvillimet e fundit në vend, rajon dhe Evropë. Kryeministri Kurti e njoftoi znj. Pack për prioritetet e Qeverisë, me theks investimet e huaja dhe planet për dorëzimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian gjatë këtij muaji. Ata diskutuan edhe për situatën gjeopolitike pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Znj. Pack sot u nderua nga Kolegji AAB me çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime. Duke e uruar atë për çmimin dhe falënderuar për kontributin e çmueshëm dhe të vazhdueshëm për popullin dhe vendin tonë, kryeministri Kurti tha se jeni gjithmonë të mirëseardhur në Kosovë.
Në takim, znj. Pack ishte e shoqëruar nga Behare Sahitaj, Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha dhe Prorektorja për Bashkëpunim, Venera Llunji./FolDrejt/