Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell.
Duke theksuar angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për ngritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai veçanërisht falënderoi shtetin e Iowa-s dhe Gardën Kombëtare të Iowa-s për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë si dhe rolin rol kyç në të bërit e Kosovës kontribuese të sigurisë në botë, duke e përfshirë FSK-në në misionet e ruajtjes së paqes.
Kryeministri ritheksoi se synimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë.
U bisedua edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në takimin e përbashkët, ku mes tjerësh ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier, koloneli Ejup Maqedonci dhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, u theksua partneriteti i fortë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, dhe potenciali për rritje të bashkëpunimit.
Duke folur për Shërbimet Konsullore në Iowa, të hapura në maj të vitit të kaluar, u theksua se po ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetin e Iowa-s dhe më gjerë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./FolDrejt/