Të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia, ishin në qendër të takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Komisioneren e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq.
Kryeministri Kurti theksoi reformat e nisura nga qeveria në drejtësi, sundimin e rendit dhe ligjit si dhe luftën kundër krimit e korrupsionit. Duke veçuar indikatorët pozitivë ekonomik, ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për të kthyer rritjen ekonomike në rritje të mirëqenies për qytetarët, nëpërmjet politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore, transmeton Fol Drejt.
Duke biseduar për vendimet e Qeverisë për rritjen e barazisë sociale në Kosovë, kryeministri Kurti përmendi rritjen e shumës së asistencës sociale, rritjen e pensioneve, fillimin e zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, si dhe studimet falas.
Ai përmendi angazhimin për avancimin e barazisë gjinore, për mbylljen e hendekut gjinor në profesione, dhe mbështetjen në avancimin e vajzave në shkencë, me ndarjen e 1365 bursave, për vajzat që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës – STEM.
Gjatë takimit u fol për bashkëpunimin rajonal, ndikimin e luftës së Ukrainës si dhe u theksua nevoja për vëmendje shtesë të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit.
Komisionerja Mijatoviq shprehu vlerësimin e saj për programin e qeverisë për pranimin e 20 gazetarëve nga Ukraina. Kjo është një iniciativë e çmueshme që do të duhej shumëfishuar në vendet e tjera të Evropës, tha ajo.
U bisedua për drejtësinë tranzicionale, mbi nismat e Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, gjykimin e këtyre krimeve, zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe luftimin e stigmës ndaj dhunës seksuale gjatë luftës, që ishte përdorur si armë lufte në Kosovë./FolDrejt/