Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryesinë dhe Sekretariatin e Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentes.
Me kryetarin Agim Ferati dhe nënkryetarët Sevim Baki Bërveniku dhe Bajram Ilazi, u diskutua për sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunitetet joshumicë në Kosovë.
Qeveria këtë vit ka krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për punësimin, angazhimin dhe avancimin e këtyre komuniteteve brenda institucioneve qeveritare.
Ndër të tjera, u theksua rëndësia e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve zyrtare në Kosovë, por edhe puna e Qeverisë dhe hapat e ndërmarrë deri tani për Njësinë e Përkthimit dhe Harmonizimit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kryesia dhe Sekretariati i Këshillit shprehën falënderimin e tyre ndaj kryeministrin Kurti për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe Këshillit Konsultativ për Komunitete, ndërsa kryeministri Kurti e ka uruar këshillin për mandatin e ri. Më tej, kryeministri u shpreh i gatshëm për bashkëpunim edhe më të ngushtë, përmes tre përfaqësuesve të tij në këtë Këshill, Slavisa Mladenović, Komisioneri për Gjuhë dhe dy këshilltaret e tij Politike, Elizabeth Gowing dhe Nurije Shala, të cilat po ashtu ishin në takimin e sotëm./FolDrejt/