Pas lajmit të mirë që u dha dje për avancimin e statusit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si anëtare e asocuar e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ka pritur në takim znj.Hasnije Ilazi, Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe z.Naim Gashi, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Kryeministri Kurti i përgëzoi për punën, angazhimin dhe përkushtimin e Agjencisë së Akreditimit dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, por edhe të partnerëve tanë për këtë lajm të gëzueshëm për të gjithë, transmeton Fol Drejt.
Mungesa e lajmeve për Agjencinë në këto dy vite, 2021 dhe 2022, ishte lajm i mirë, sepse nuk pati asgjë skandal për dallim nga vitet e mëparshme kur skandalet ishin bërë rregull e normë. Ndërkaq, tash së fundmi morëm lajmin e mirë për statusin e Agjencisë në ENQA, tha ai.
Gjatë takimit u diskutua për ngritjen e cilësisë në arsim përmes avancimit profesional e shkëmbimit të përvojave të mira nga shtetet e Bashkimit Evropian, si një domosdoshmëri e sektorit akademik e universitar.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në mënyrë që të tejkalohen bashkërisht sfidat, dhe që arritjet e sukseset të jenë të përbashkëta./FolDrejt/