Në takimin lamtumirës me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, në përmbyllje të mandatit të tij në Kosovë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e falënderoi për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e tij për ta mbajtur vendin tonë të sigurt, transmeton Fol Drejt.
Ai theksoi se gjatë mandatit të tij, ka një rritje të konsiderueshme të bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës. Kryeministri vlerësoi lartë bashkëpunimin gjatë kësaj kohe, veçanërisht në uljen e tensioneve në pjesën veriore të vendit tonë.
Përvoja dhe lidershipi juaj i madh luajti një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e situatës dhe ruajtjen e kohezionit në KFOR, pavarësisht sfidave, tha Kryeministri Kurti.
Gjeneral Major Kajári e falënderoi Kryeministrin për diskutimin e hapur dhe gatishmërinë e dëshmuar për bashkëpunim. Po ashtu, vlerësoi bashkëpunimin me institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.
U theksua se misioni në Kosovë i Gjeneral Majorit Kajari filloi në të njëjtën kohë kur filloi të ndryshojë në mënyrë dramatike mjedisi i sigurisë globale për shkak të rritjes së politikës ekspansioniste ruse, që kulmoi me agresionin ushtarak në Ukrainë në fillim të këtij viti.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Duke përmendur se vitin e kaluar Kosova ka marrë pjesë në Defender Europe 21 dhe se për herë të parë ka filluar të jep kontributin ushtarak për paqen dhe sigurinë, duke vendosur personelin ushtarak në Lindjen e Mesme, krah për krah me aleatët tanë, Kryeministri Kurti theksoi se Kosova do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen.
Duke i uruar të gjitha të mirat, Kryeministri Kurti tha se shpreson që Gjeneral Major Kajári të kthehet për vizitë, si një mik që dha kontribut shumë të rëndësishëm për Kosovën./FolDrejt/