Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, shkruan Fol Drejt.
Në komunikatë thuhet se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, si dhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion.
“I shoqëruar nga zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu si dhe ambasadori i Kosovës në Danimarkë, Faruk Ajeti, Kryeministri njoftoi të pranishmit me të arriturat e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, të evidentuara edhe nga organizatat ndërkombëtare prestigjioze si Freedom House, World Justice Project e Transparency International. Ai potencoi që Qeveria e Republikës së Kosovës mbështetet në parimet e sundimit të ligjit, pluralizmit politik e të drejtave të njeriut, si vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike.”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje aty u nënvizua se gjatë takimit është theksuar rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e drejtësisë, përfshirë zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve direkte.
Në fund, kryeministri ka falënderuar Ministrin Hummelgaard dhe anëtarët e pranishëm të Parlamentit danez për mbështetjen e Mbretërisë së Danimarkës ndaj Republikës së Kosovës në rrugëtimin e saj euro-atlantik. /FolDrejt/