Bashkëpunimi aktual ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ishte në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.
Kryeministri Kurti dhe ambasadori Davenport folën për çështje aktuale dhe për fushat ku OSBE-ja mbështetë Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës. U theksua angazhimi i përbashkët për parandalimin e dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave, transmeton Fol Drejt.
U bisedua edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunat veriore të Republikës së Kosovës.
U vlerësua përkushtimi për forcimin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Zyrtare, nëpërmjet themelimit të Njësisë së Përkthimit dhe Harmonizimit, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit./FolDrejt/