Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot për një bashkëbisedim një grup studentësh nga Universiteti i Amsterdamit nga 14 shtete të botës, të cilët janë duke e zhvilluar një vizitë studimore në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kuri i falënderoi studentët për vizitën studimore që po ia bëjnë Kosovës dhe interesimit që kanë shfaqur për vendin tonë.
Duke folur për qeverisjen e gjertanishme, ai tha se këto dy vite kanë qenë dy vite të rritjes dhe luftës kundër korrupsionit.
Gjatë bashkëbisedimit u piketuan përmirësimet e dukshme në luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, lirive civile dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Kryeministri vuri në pah se të gjitha këto progrese janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Transparency International, World Justice Project, Freedom House e Reporterëve pa Kufij.
Njëkohësisht, kryeministri përmendi edhe progresin ekonomik gjatë qeverisjes së deritanishme, duke shtuar se të hyrat tatimore janë rritur për 2/3 dhe investimet e huaja janë dyfishuar.
Kryeministri veçoi se në buxhetin e këtij vitit vëmendje e veçantë i është dhënë katër fushave: Shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe mbrojtjes.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti para studentëve, një grup prej mbi 25 persona, foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me theks te situata në katër komunat në veri të vendit dhe për raportet me Serbinë, agresionin e ditës së mërkurë me rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, dhe për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj.
Ai gjithashtu u është përgjigjur pyetjeve dhe kureshtjes së studentëve.