Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse për viktimat e dhunës në familje dhe roli i strehimoreve në mbrojtjen dhe rehabilitimin e tyre, ishin tema e takimit të sotëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, me udhëheqëset e strehimoreve, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti vlerësoi punën e strehimoreve si partnere në luftimin e dhunës në familje, të përfshira drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e grave viktima të dhunës dhe fëmijëve të tyre.
U bisedua për nismat e ndërmarra nga Qeveria për infrastrukturë të re ligjore, hartimin e Ligjit të ri për mbrojtje nga dhuna në familje si dhe Strategjinë për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026.
Në takimin e përbashkët me Zëvendësministren e Drejtësisë, znj. Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, znj. Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga udhëheqëset e strehimoreve për angazhimin dhe sfidat në fushën e përgjegjësisë së tyre, në fazat e reagimit ndaj rasteve të dhunës në familje, për mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri të viktimave të dhunës në familje.
U diskutuan hapat e mëtejmë që do të forcojnë edhe më tej zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës së Stambollit në kornizën tonë ligjore, dhe zbatimin e kërkesave që burojnë nga kjo konventë, e që do të udhëzojnë më tej punën e institucioneve përgjegjëse.
Në këtë takim morën pjesë udhëheqëset e strehimoreve: znj. Zana Hamiti nga Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve në Prishtinë, znj. Erblina Dinarama nga OJQ “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, znj. Nazife Jonuzi nga Qendra për mbrojtjen dhe rehabilitimin e grave dhe fëmijëve “Liria” në Gjilan, znj. Vesna Stajiq nga strehimorja “Zenski inkluzivni centar” në Novobërdë, znj. Sevdije Kasumi – Bunjaku nga QMGF “Shtëpia ime” në Ferizaj, znj. Ardita Bala nga Qendra për mirëqenien e gruas në Pejë, dhe znj. Fidane Hyseni nga QMGF “Raba Voca” në Mitrovicë./FolDrejt/