Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Zëvendëspresidenten e Bankës Evropiane për Investime, Lilyana Pavlova, shkruan Fol Drejt.
“Krahas bashkëpunimit të deritanishëm dhe projekteve ekzistuese, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në të ardhmen, sidomos në fushat prioritare të Qeverisë, si ajo e energjisë, arsimit dhe shëndetësisë, në të cilat EIB mund të japë mbështetje përmes financimit.”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e Bankës Evropiane për Investime në zhvillimin e vendeve, duke e cilësuar atë si partnere të rëndësishme. Në 10 vitet e fundit, ky institucion financiar ka ofruar mbështetje me vlerë 241 milionë euro në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Përveç tjerash, në takim kryeministri gjithashtu foli edhe për Fondin Sovran, i cili u prezantua gjatë fundjavës që lamë pas. Me këtë rasti, Zëvendëspresidentja Pavlova shprehu gatishmërinë e EIB për të mbështetur Qeverinë në këtë nismë.
“Ajo gjithashtu theksoi faktin dhe rëndësinë për ta që Kosova ka një qeveri të qëndrueshme, pozitën e mirë makrofinanciare të saj dhe politikat e duhura fiskale që ka ndërmarrë Qeveria. Në takim bashkë me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi si dhe Shefja e Kabinetit të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Anila Abazi.”, thuhet tutje në komunikatë.
Zëvendëspresidentja, Lilyana Pavlova po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën Vienna Economic Talks që u mbajt sot për herë të parë në Prishtinë. Ajo ishte folëse kryesore në sesionin e dytë ku u diskutua për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe në mjedis të fragmentarizuar, në të cilin pjesë e panelit ishin edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. /FolDrejt/