Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij një delegacion nga Mali i Zi, me të cilët ka diskutuar mbi avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, sidomos nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare dhe energjisë, si dhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, raporton Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin festës së Pavarësisë së Malit të Zi, mirëpriti sot një delegacion nga Mali i Zi, i përbërë nga Udhëheqësi i Drejtorisë për Bashkëpunim me Diasporë-Emigrantë, Arben Jakupi, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj dhe Sekretarja e Ambasadës së Malit të Zi, Fedisa Daçiq.”, shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësministëri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverisë së Republikës së Kosovës, Lazar Raduloviq.
“U bisedua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, sidomos nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare dhe energjisë, si dhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore.”, u tha tutje në njoftim.
Kryeministri Kurti ka falënderuar shtetin e Malit të Zi për raportet e mira fqinjësore, për mbështetjen e vazhdueshme në rrafshin ndërkombëtar dhe për bashkëpunimin në nisma rajonale.
Në mbrëmje, kryeministri Kurti po ashtu mori pjesë në festën e organizuar nga ambasada e Malit të Zi në Kosovë, me rastin e ditës së Pavarësisë së Malit të Zi. /FolDrejt/