Pas seancës së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me një delegacion të ekspertëve të Ballkanit Perëndimor nga organizata Këshilli Atlantik, të udhëhequr nga Drejtori i qendrës në Evropë, Jörn Fleck.
Kryeministri i njoftoi ata me rezultatet e qeverisjes dhe reflektimin e progresit të këtyre dy viteve të qeverisjes në indekset ndërkombëtare ku Kosova është radhitur e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit, sipas World Justice Project dhe sikurse edhe për nga përmirësimi në të drejtat politike dhe liritë civile, sipas Freedom House.
Po ashtu i njoftoi me progresin në ekonomi, rritjen mesatare për rreth 7% në dy vite qeverisje, rritjen e buxhetit dhe të ekonomisë dhe rritjen e eksporteve, duke theksuar se Kosova është dëshmi se demokracia dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krah për krah.
Në takim u bisedua edhe për zhvillimet në Kosovë, rajon dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri e falënderoi për mbështetjen, kontributin dhe rolin e Këshillit Atlantik. /FolDrejt/