Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me audio-incizimin e publikuar mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-shefit të deputetëve të Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Kryeministri Kurti ka vlerësuar se ky audio-incizim është i gjymtuar, i redaktuar dhe se sipas tij do të duhej që organet e drejtësisë të merreshin me të.
“Qartazi është një incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të”.
“Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht që jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsoron Qeveria e Kosovës, të përpiqet që të sigurojë sa më shumë vota në mënyrë që sa më e madhe të jetë shumica atëherë kur një projektligj në kuvend bëhet ligj”, është shprehur kryeministri Kurti.
“Por, edhe një herë, ju lus të gjithëve që të keni kujdes sa i përket kësaj lufte hibride që bëhet nga Serbia kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë”.
“Janë duke u përpëlitur si autokraci që janë në Serbi, e prandaj po përpiqen që me incizime, me insinuata të shkaktojnë konfuzion tek opinioni në Kosovë, por populli ynë është edhe demokratik edhe i qëndrueshëm”, ka shtuar Kurti më tej./FolDrejt/