Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot në seancën që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, që Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategike përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.
“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri). E dyta, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Për herë të parë, u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nga jashtë, ndërkombëtarisht në formatin e dialogut në Bruksel. Takimi i datës 18 gusht, ishte qartazi rezultat direkt i presionit të qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar Kosovë- Serbi të përqendruar në njohje reciproke. Në takimin e 18 shkurtit ia bëra të qartë Borrellit dhe Vuçiqit që Kosova s’do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë”, tha kryeministri ndër të tjera. /FolDrejt/