Konferenca e përbashkët ballkanike është ngjarja më e rëndësishme për profesionistët e fushës së ujërave të Shqipërisë, Kosovës, të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Konferencës dhe Ekspozitës së 10-të të Përbashkët Ballkanike “Ujërat Nëntokësorë – Të Bëjmë të Padukshmen të Dukshme”.
Kryeministri Kurti theksoi se për më tepër, kjo konferencë e përvitshme mban në vëmendje rëndësinë jetike që ka furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit, si dhe promovon shkëmbimin e përvojave teknologjike dhe ofron një perspektivë për profesionistët e rinj të sektorit.
Më tej, kryeministri Kurti ka potencuar se mbetet i dukshëm injorimi prej dy dekadash i keqmenaxhimit, ndotjes dhe degradimit të burimeve ujore, nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit, tejshfrytëzimi, ndotja dhe mungesa e planifikimit, ndërsa ka theksuar se Qeveria nën drejtimin e tij, është mobilizuar në disa fronte për ta adresuar këtë sfidë: duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore dhe kthimi i ligjshmërisë për të adresuar lejet ujore si dhe koncesionet për shfrytëzuesit komercial; e duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm, siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës, për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra.
Po ashtu, kryeministri tha se tashmë është iniciuar hartimi i studimeve të fizibilitetit për tri diga të reja: Dragaqinë në Therandë, Pollatë në Podujevë dhe Kuçicë në Skenderaj, si dhe hartimi i një plani në nivel të Kosovës për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave të vitit 1982, pra pas plotë 40 viteve.
“Qeveria po ashtu është duke adresuar seriozisht ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave – së fundmi e kemi inauguruar impiantin në Pejë, e javëve në vijim presim ta bëjmë edhe inaugurimin e impiantit në Gjakovë. Në rend janë impiantet rajonale të Prishtinës së bashku me Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, dhe të Mitrovicës së bashku me Vushtrrinë, e gjithashtu edhe impianti në Gjilan. Synojmë t`i përfundojmë studimet për trajtimin e ujërave të ndotura për 12 komunat tjera me rend sipas madhësive”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Të nderuar nikoqirë, drejtues të SHUKALB dhe SHUKOS, z. Petrit Tare dhe z. Zenel Zenelaj,
Të nderuar zëvendësministra, zëvendësministre e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Linda Çavdërbasha dhe zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë, z. Getoar Mjeku,
I nderuari ambasador i Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendës ambasador gjerman, Matthias Conrad,
Të nderuar hisedarë të sektorit të ujërave të Kosovës dhe të Shqipërisë,
Është kënaqësi të shohim se si tradita e nisur nga shoqatat e ujësjellës-kanalizimeve të Shqipërisë dhe të Kosovës po vazhdon. Konferenca e përbashkët ballkanike është ngjarja më e rëndësishme për profesionistët e fushës së ujërave të Shqipërisë, Kosovës, të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, në të cilën trajtohen temat dhe zhvillimet me interes për shërbimet e ujësjellësit dhe të kanalizimit. Për më tepër, kjo konferencë e përvitshme mban në vëmendje rëndësinë jetike që ka furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit, si dhe promovon shkëmbimin e përvojave teknologjike dhe ofron një perspektivë për profesionistët e rinj të sektorit.
Kjo është hera e dytë që unë po marrë pjesë në këtë konferencë dhe një ndër gjërat që më ka bërë më së shumti përshtypje është se Konferenca po fiton një karakter përtej Ballkanit me pjesëmarrje përtej kufijve të rajonit tonë e të Evropës. Kjo padyshim është një zhvillim shumë pozitiv dhe rezultat i punës suaj të përkushtuar.
Tema e sivjetme në përputhje për temën e ditës botërore të ujit, është “Ujërat Nëntokësorë – Ta Bëjmë të Padukshmen të Dukshme”, e që te ne në Kosovë e padukshmja do të mbetet e tillë edhe disa ditë, deri në inaugurimin që do ta bëjmë në javën e ardhshme të rrjetit të monitorimit të ujërave nëntokësore, gjë që ka munguar dhe që po e bëjmë realitet me përkrahjen e qeverisë suedeze. Këtë punë synojmë ta pasurojmë me disa hulumtime me kompani ndërkombëtare për potencialin e ujërave nëntokësore me qëllim të furnizimit me ujë të pijes dhe ujë mineral, përdorim të bujqësisë si dhe energji termale.
Por, çfarë mbetet e dukshme është injorimi prej dy dekadash i keqmenaxhimit, ndotjes dhe degradimit të burimeve ujore, edhe ashtu të mangëta, nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit, tejshfrytëzimi, ndotja dhe mungesa e planifikimit. Kosova është shtet me stres ujor, me burime të pakta të ripërtëritshme të ujit prej rreth 1600 metra kub në vit për një banorë, që përbën rreth 20% të mesatares së rajonit. Përpos kësaj, sasia e akumulimit të ujit në Kosovë prej rreth 300 metra kub për banorë është dukshëm më e vogël krahasuar me vendet e rajonit apo vetëm 42% të mesatares së rajonit.
Nëse kësaj i shtohen edhe parashikimet për efektet e ndryshimeve klimatike, disponueshmëria në 30 vitet e ardhshme pritet të bie edhe për 20%. Përkundër të gjithë këtyre faktorëve, ndër vite ishte toleruar degradimi i këtij resursi jetësor.
Prandaj, Qeveria ime, është mobilizuar në disa fronte për ta adresuar këtë sfidë: duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore dhe kthimi i ligjshmërisë për të adresuar lejet ujore si dhe koncesionet për shfrytëzuesit komercial; e duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm, siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës, për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra.
Po ashtu, tashmë kemi inicuar hartimin e studimeve të fizibilitetit për tri diga të reja: Dragaqinë në Therandë, Pollatë në Podujevë dhe Kuçicë në Skenderaj, si dhe hartimin e një plani në nivel të Kosovës për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave të vitit 1982, pra pas plotë 40 viteve. Qeveria po ashtu është duke adresuar seriozisht ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave – së fundmi e kemi inauguruar impiantin në Pejë, e javëve në vijim presim ta bëjmë edhe inaugurimin e impiantit në Gjakovë. Në rend janë impiantet rajonale të Prishtinës së bashku me Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, dhe të Mitrovicës së bashku me Vushtrrinë, e gjithashtu edhe impianti në Gjilan. Synojmë t’i përfundojmë studimet për trajtimin e ujërave të ndotura për 12 komunat tjera me rend sipas madhësive.
I dukshëm është edhe suksesi i qeverisjes me shërbime ujore, sepse uji nuk është vetëm burim është edhe shërbim dhe duke qenë shërbim bëhet i shfrytëzueshëm si burim, ku këtu kemi një avancim në reforma në krahasim me rajonin dhe jemi të gatshëm t’i shkëmbejmë përvojat tonë të suksesshme. Qeveria ka depolitizuar Bordet e Drejtorëve, të cilët tani kanë fokusin tek përmirësimi i performancës së Kompanive Rajonale të Ujit e jo në ngarkimin me staf të tyre. Sfidë kryesore këtu mbetet humbja e ujit e cila, ndonëse mesatarisht më mirë se në shumë kryeqendra në rajon, nuk na lejon komoditetin, marr parasysh mungesën e ujit në Kosovë. Pra, humbja e ujit në Kosovë dhemb më shumë se gjetiu. Jo vetëm për shkak se Kosova është vendi ynë, po për shkak se kemi shumë më pak burime të ujit sesa vendet e tjera. Unë jam i lumtur që këtë e kemi adresuar në Këshillin Ndërministror për Ujërat dhe Bordet tani janë mobilizuar ta trajtojnë seriozisht këtë sfidë së bashku me menaxhmentin e Kompanive Rajonale të Ujit.
E fundit, një e padukshme që po përpiqemi ta bëjmë të dukshme, është angazhimi dhe fuqizimi i profesionistëve të rinj në sektorin e ujërave. Për këtë qëllim, kemi ngritur një program master për menaxhimin e integruar të resurseve ujore pranë Universitetit të Prishtinës, me përkrahje të qeverisë Zvicerane, dhe kemi hapur dyert për angazhimin e tyre në institucione si dhe në njësitë zbatuese të projekteve. Të gjitha këto suksese e vënë në pah përkrahjen e komunitetit të donatorëve ndaj të cilëve mbetemi përjetësisht falënderues dhe mirënjohës.
Ju faleminderit të gjithëve e shumë suksese në të ardhmen./FolDrejt/