Kryeministri Kurti bashkë me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, kanë qëndruar sot në Klinë e në Istog, me ç’rast janë njohur më nga afër me prodhuesit vendorë të produkteve bujqësore.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Kurti, i cili në një postim në profilin e tij zyrtar në facebook, ka lavdëruar kapacitetet që ka Kosova, duke folur njëherit edhe për mbështetjen që fermerët kanë nga Qeveria e Kosovës.
Duke përmendur statistika, teknologji moderne, kryeministri Kurti ka ngritur lart punën e Agro Elitës duke thënë se na sjell farë vendore.
“4 hektarë te fabrika, me 30 hektarë tokë pune, rreth 100 të tjera kontraktuar me fermerët dhe hambarë për 14.500 tonë. Prodhimi e shumëzimi, përpunimi e paketimi i farave bëhen me teknologjinë më të re digjitale, me ç’rast një linjë prodhimi për farat e grurit, elbit e tërshërës i nxjerrë deri në 10 tonë për orë. Agro Elita na sjell farë vendore për grurin tonë.” – ka shkruar Kurti.
Përveç Agro Elitës, kryeministri Kurti bashkë me ministrin Peci kanë qëndruar edhe te Berry K, që merret me prodhimin e boronicave.
“Investimi prej 300 mijë euro i angazhon mbi 20 punëtorë sezonal. Rendimenti mesatar në frytdhënie të plotë parashihet që të jetë 15 tonë për hektarë. Boronica në Kosovë i ka 70 kultivues në një sipërfaqe prej 115 hektarë me prodhim rreth 500 tonë. Për të shtatin vit me radhë, sivjet boronica jonë e freskët është eksportuar për Holandë. Të vjelurat tona janë së paku 20 ditë para konkurrencës kryesore në Evropën Lindore.” – ka shtuar tutje kryeministri.
Teksa ka përfunduar duke përmendur mbështetjen e Qeverisë dhe punën e fermerëve.
“Qeveria e Kosovës ndihmon e mbështet, kurse fermerët mbjellin, vjelin e korrin sepse në vendin tonë ia vlen fort.” – ka përfunduari Kurti./FolDrejt/