Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën e 7-të të Mjedrës në Kosovë “Mjedra – Iniciativat e reja për ndryshimet klimatike”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se këtë vit kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët dhe se kësaj mbështetjeje më të lartë ndonjëherë vitin tjetër po ia shtojmë edhe buxhetin më të lartë për bujqësi si asnjëherë më parë, transmeton Fol Drejt.
“Gjatë këtij viti kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët. Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës – për 25% më shumë se sa në vitin pararendës, këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit. Ndërkaq, sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro”, u shpreh kryeministri Kurti.
Konferencat si kjo e sotmja, siç tha kryeministri Kurti, bashkojnë akterë të ndryshëm, të ekzekutivit, të akademisë, të fermerëve dhe na mundësojnë që t’i adresojmë sa më saktë nevojat e shoqërisë, dhe sfidat e prodhuesve tanë.
Në 8 vitet e fundit, pra nga viti 2014 deri në 2022, Kosova ka prodhuar afër 29,000 tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro, pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së, ndërkaq që vetëm këtë vit u prodhuan afro 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.
Duke theksuar se rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues, kryeministri tha se nuk ka dyshim që vendi ynë po bëhet vend i orientuar për nga eksporti.
Në fund, ai shtoi se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë dhe zbatojë standardet më të mira të mundshme në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit, krijimin e vendeve të punës e kushte më të mira të punës, rritjes së eksportit, sigurimin e ushqimit të bollshëm e të sigurt dhe përmirësimin e gjallërimin e peizazhit agro-rural.
Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:
Të nderuar organizatorë nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”,
I nderuari kryetar Sami Uka dhe drejtor Kujtim Lepaja,
I nderuari zv/ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Demelezi
I nderuar Drejtor i CARITAS Zviceran në Kosovë, z. Gerhard Schaumberger,
Të nderuar pjesëmarrës nga komuniteti akademik,
I nderuari profesor doktor Agim Zajmi,
Të nderuar fermerë dhe operatorë të sektorit të industrisë agro-ushqimore, respektivisht të sektorit të pemëve të imëta, e të mjedrave në veçanti,
Gjatë këtij viti kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët. Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës – për 25% më shumë se sa në vitin pararendës , këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit.
Mbështetjes më të lartë ndonjëherë për bujq dhe fermerë, vitin tjetër po ia shtojmë edhe buxhetin më të lartë për bujqësi ndonjëherë. Sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro. Në kuadër të tij parashihet dyfishimi i pagesave për rendimente bujqësore, kompensimi i TVSh-së për naftën bujqësore dhe mbulimi i shpenzimeve për inpute tjera bujqësore. E gjithë kjo vëmendje për bujqësinë është sa rezultat edhe dëshmi e prioritizimit tonë të prodhimtarisë dhe të prodhuesit vendor.
Konferencat si kjo e sotmja bashkojnë akterë të ndryshëm, të ekzekutivit, të akademisë, të fermerëve dhe na mundësojnë që t’i adresojmë sa më saktë nevojat e shoqërisë, dhe sfidat e prodhuesve tanë.
Shkëmbime si këto sot e kanë bërë të mundur që prodhimi i mjedrës në Kosovë të rritet nga 20 hektarë sa ishte në vitin 2011, në rreth 1500 hektarë sa është tani në vitin 2022.
Në 8 vitet e fundit, pra nga viti 2014 deri në 2022, Kosova ka prodhuar afër 29,000 tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro. Pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së. Vetëm këtë vit u prodhuan afro 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.
Me këtë vlerë e sasi prodhuese, ne shohim një funksionim të plotë të zinxhirit agro-ushqimor dhe angazhim të shumë akterëve në hallkat e prodhimit. Aty përfshihet padyshim edhe punësimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës të mijëra familjeve.
Rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues. Nuk ka dyshim që vendi ynë po bëhet vend i orientuar për nga eksporti.
Vitin e kaluar eksportet kanë qenë 83.6 për qind më të larta se sa krahasuar me vitin paraprak, pra 2020, e sivjet janë edhe 29.5 për qind më të larta sesa në vitin 2021. Ky trend i rritjes ka bërë që raporti ndërmjet eksportit dhe importit të përmirësohet nga gati 1:9 sa ka qenë në vitin 2019, në më pak se 1:6 në këtë vit. Pritjet tona janë që ky hendek i deficitit tregtar të cilin aktualisht e kemi ta zvogëlojmë sa më shpejtë dhe më tej. Përmirësimet janë të mëdha, megjithëse graduale, teksa synimi ynë është që Kosova, me ndihmën e prodhuesve të shndërrohet pra në një ekonomi të orientuar kah eksporti.
Ky sukses i sektorit të mjedrave, krahas përkrahjes me grante dhe pagesa direkte, është bërë sigurisht edhe nga organizimi shembull i fermerëve të mjedrave, që inkurajojmë të ndiqet edhe nga fermerë të kulturave tjera.
Është gjithmonë; kënaqësi kur prodhimet tona agro-ushqimore, në këtë rast mjedra jonë kualitative, është pjesë e tryezave të shumë qytetarëve evropianë. Por, ne kemi edhe shumë produkte tjera, sikurse molla, rrushi, speci, patatja, bimët mjekësore aromatike, dhe prodhimet e bylmetit që janë duke zënë vend në tregje si prodhime “Premium”.
Sigurisht për t’u ballafaquar me sfidat e kohës është e nevojshme që të investohet ende në ekspertizë e certifikim të prodhimeve tona, ashtu që fermerët dhe përpunuesit të përdorin sa më shumë kushtet ideale agro-ekologjike që mbizotërojnë në vendin tonë, e sa më shumë materiale e teknika që janë në pajtim dhe e përmirësojnë ambientin.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj konference,
Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë dhe zbatojë standardet më të mira të mundshme në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit, krijimin e vendeve të punës e kushte më të mira të punës, rritjes së eksportit, sigurimin e ushqimit të bollshëm e të sigurt dhe përmirësimin e gjallërimin e peizazhit agro-rural.
Veprimtaria juaj në të njëjtën kohë kontribuon që fermerët, familjet e tyre dhe e gjithë shoqëria të krijojnë ngadalë por sigurt një raport të ri me tokën, sepse një popull që e punon tokën sigurisht që lidhet edhe më shumë me të dhe kjo ka jo vetëm efekte ekonomike por edhe efekte shoqërore edhe shtetërore.
Ju dëshiroj një ditë të mbarë në shkëmbim të njohurive dhe përvojave. Vetëm kështu mund të hapim horizonte të reja të dijes dhe të ideve, të cilat do të jenë të dobishme për pemishtet tuaja, për sektorin dhe qëllimin tonë të përbashkët./FolDrejt/