Kryeministri i Kosovës, në ditën ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim ka thënë se njohin dhe vlerësojnë pasurinë e shumëllojshme të Kosovës, rolin e saj në promovim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, transmeton Fol Drejt.
“Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë. Përfitimet për shoqërinë nga mbrojta e trashëgimisë kulturore janë të shumta.
Kemi restauruar dhe vazhdojmë të restaurojmë xhami, hamame, teqe, kisha katolike, kisha ortodokse, zona historike, kulla e shtëpi tradicionale, mulli, ndërtesa historike e publike për të promovuar harmoninë ndër-fetare si vlerë universale të shoqërisë sonë dhe historinë tonë të pasur kombëtare e shoqërore.”, është shprehur kryeministri Kurti.
“Shumë punë janë bërë dhe akoma më shumë punë na presin në fuqizimin e muzeve publik ku ruhen dëshmitë materiale të lashtësisë, dhe pasqyrohen traditat e vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore të popullit tonë.
Vazhdojmë me gërmime profesionale në lokalitetet tona arkeologjike, ndërsa ato po i bëjmë edhe me plane e njësi menaxhimi për t’i pritur më mirë vizitorët dhe edukuar më drejt fëmijët e të rinjtë tanë.
Kemi bërë hapa të mëdhenj për të dalë nga periudha e emergjencave. Objektivi ynë i radhës është menaxhimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore.
Bashkë do të sigurohemi që pasuria jonë kulturore të përkthehet në mirëqenie për qytetarët tanë.”, ka shtuar më tej Kurti./FolDrejt/